Ne rrjet

Trump nuk përjashton Shqipërinë si një vend pritës për palestinezët: Ka disa vende që duan të përfshihen!

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë një takimi  me mbretin e Jordanisë, Abdullah, Donald Trump nuk përjashtoi Shqipërinë si një nga vendet ku do të zhvendosen disa nga palestinezët, nëse ekzekutohet plani për kontrollin e Gazës.

Një nga gazetarët e pranishëm pyeti presidentin Trump nësepo konsideron vende të tjera për të dërguar palestinezët përveç Egjiptit, si Shqipëria apo Indonezia?”

“Po, sigurisht. Dhe kemi vende të tjera që duan të përfshihen. Kemi shumë njerëz që duan të përfshihen. Ekziston një ndjenjë e madhe dëshire për të ndihmuar palestinezët”,- u përgjigj Trump.

Presidenti Trump sinjalizoi se nuk do të tërhiqet nga plani i tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës, për zhvendosjen e banorëve të saj të tronditur dhe për të transformuar territorin e shkatërruar nga lufta.

“Do ta marrim. Do ta mbajmë dhe do ta ruajmë. Do ta marrim eventualisht, do të krijojmë shumë vende pune për banorët e Lindjes së Mesme”, tha zoti Trump duke iu referuar Gazës. Ai shtoi se plani i tij do “të sjellë paqe” në rajon.

Presidenti Trump tha se ai do të konsiderojë nëse do t’ia bllokojë ndihmën Jordanisë nëse ky shtet refuzon të pranojë strehojë palestinezët.

Mbreti Abdullah në të kaluarën ka thënë se ai kundërshton çfarëdo hapi për aneksimin e territorit dhe zhvendosjen e palestinezëve.

I pyetur të martën nëse do të pranonte palestinezët, ai tha se ai do të bëjë më të mirën për vendin e tij dhe tha se shtetet arabe do të vijnë në Uashington me një kundër-propozim.

“Çështja është se si ta bëjmë këtë të funksionojë në një mënyrë të dobishme për të gjithë”, tha ai, pa thënë konkretisht nëse e mbështet apo e kundërshton planin e zotit Trump.

Propozimi i Presidentit Trump ka sjellë një dimension të ri në një dinamikë të ndjeshme rajonale, përfshirë armëpushimin e brishtë ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit.

Hamasi tha të hënën se do të ndalojë lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza deri në një njoftim të radhës, duke akuzuar Izraelin se po shkel marrëveshjen për t’u dhënë fund sulmeve në Gazë. Më pas, Presidenti Trump propozoi anulimin e armëpushimit nëse Hamasi nuk liron pengjet e mbetura, të cilat i mori peng më 7 tetor, të vitit 2023, deri në ditën e shtunë.

Presidenti Trump tha të martën se “situata do të jetë e paparashikueshme” nëse Hamasi nuk e respekton këtë afat kohor, duke shtuar se nuk mendon që grupi militant palestinez do ta bëjë një gjë të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë