Bota

Trump nuk heq dorë nga Groenlanda: Na duhet për sigurinë kombëtare

Gazeta Si – “Nuk kemi nevojë për Groenlandën për minerale dhe naftë, kemi nevojë për siguri. Duhet ta kemi. Kemi nevojë për Groenlandën për siguri kombëtare. Dhe nëse e shikoni Groenlandën, përgjatë bregdetit, ka anije ruse dhe kineze kudo. Kemi nevojë për siguri kombëtare. Duhet ta kemi”.

Kështu u shpreh presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një konferencë për shtyp të transmetuar drejtpërdrejt nga Mar-a-Lago, Florida, gjatë së cilës ai e quajti Groenlandën (e cila është një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës) “një çështje me rëndësi të madhe”.

Sa i përket të dërguarit të ri special të administratës Trump për Groenlandën, Jeff Landry, ai tha: “Epo, ai më telefonoi”, shpjegoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke kujtuar precedentin e blerjes së Luizianës nga Shtetet e Bashkuara. “Ai tha: ‘Unë jam guvernatori i Luizianës’, dhe shtoi se do t’i pëlqente… Unë nuk e telefonova, Landry më telefonoi mua. Ai është shumë proaktiv, është një njeri i shkëlqyer, një biznesmen”.

“Groenlanda ka një popullsi shumë të vogël dhe, nuk e di, thonë Danimarka, por Danimarka, – theksoi Trump, – nuk ka shpenzuar asnjë para, nuk ka mbrojtje ushtarake. Ata thonë se Danimarka ishte atje 300 vjet më parë ose diçka e tillë me një varkë. Epo, edhe ne ishim atje me varka, jam i sigurt. Pra, do të duhet t’i zgjidhim gjërat”, – shpjegon Trump, duke shfaqur hapur ambiciet e tij për ishullin strategjik danez.

Kjo ka shkaktuar zemërim në Kopenhagen, e cila ka njoftuar se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-ve për të kërkuar një shpjegim. Kryeministri i Groenlandës tha se ishulli duhet të vendosë për të ardhmen e tij dhe se integriteti territorial duhet të respektohet.

Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur rëndësinë strategjike të ishullit dhe pasuritë e tij minerale.

Ai ka refuzuar gjithashtu të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e territorit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, aleate e NATO-s dhe partnere tradicionale e SHBA-ve.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës.

Megjithëse shumica e banorëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë