Gazeta Si – Ka përfunduar pas 2 orësh dhe me shenja optimizmi telefonata mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin, lidhur me mundësinë e arritjes së armëpushimit në Ukrainë.
Presidenti rus e quajti telefonatën “informuese, të sinqertë dhe shumë të dobishme”, raportoi agjencial ruse e lajmeve “RIA Novosti”.
Sipas mediave ruse, ai u shpreh se biseda mes tyre ishte kuptimplotë, e sinqertë dhe shumë e dobishme. Për Putin, “Moska është në favor të ndalimit të armiqësive, por është e nevojshme të zhvillohen rrugët më efektive drejt paqes”.
Rezultati paraprak është se Moska dhe Kievi “duhet të gjejnë kompromise që do t’u përshtaten të gjitha palëve”.
Reagim pati dhe nga presidenti Trump, përmes një postimi në platformën Truth Social, duke u shprehur pozitiv për bisedën e zhvilluar me homologun e tij rus.
Ai sqaroi se Ukraina dhe Rusia do të nisin negociatat për armëpushim, teksa vlerëson potencialin e Rusisë për mundësi punësimi dhe pasurie.
Sipas mediave të huaja, nuk është e qartë se si ndryshon kjo nga negociatat që filluan në Turqi të premten midis delegacioneve ukrainase dhe ruse.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste negociatat. Le të fillojë procesi!”, postoi ai në Truth Social, me një ton shumë më optimist se ai i Vladimir Putinit.
Ai tha se telefonata “shkoi shumë mirë”. “Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera”, shtoi ai më tej.
Duke folur më gjerësisht mbi negociatat, Trump tha: “Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, siç mund të bëhet vetëm sepse ato i dinë detajet e një negociate për të cilat askush tjetër nuk do të ishte në dijeni”. Trump tha se Rusia dëshiron të marrë pjesë në “tregti në shkallë të gjerë” pasi të ketë mbaruar lufta.
Ai shtoi: “Ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për Rusinë për të krijuar sasi të mëdha vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i pakufizuar”.
“Po kështu, Ukraina mund të jetë një përfituese e madhe në tregti, në procesin e rindërtimit të vendit të saj”, tha ai më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.