Bota

Trump ndryshon qëndrim për luftën: Ukraina mund të fitojë territoret e saj autentike!

Presidenti Donald Trump deklaroi se Ukraina është tashmë në pozita për “të luftuar dhe fituar” kundër Rusisë, duke bërë kështu një kthesë të fortë të qëndrimit të tij. Deri më tani Trump po I bënte presion Ukrainës për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.

“Pasi e njoha dhe e kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike Ukrainë/Rusi dhe, pasi pashë problemet ekonomike që po i shkakton Rusia, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Europian, është në një pozicion për të luftuar dhe për ta FITUAR të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”, shkroi Trump në Truth Social të martën.

Postimi erdhi menjëherë pasi ai u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në zyrat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – dhe mes frustrimit në rritje të Trump me Presidentin rus Vladimir Putin për rezistencën e tij ndaj bisedimeve të paqes.

Komentet e Trump janë të parat që nga marrja e detyrës që ai ka sugjeruar se Ukraina mund të rifitojë të gjithë territorin që Rusia ka marrë që nga viti 2014. Ai më parë kishte sugjeruar se Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga një pjesë e territorit të saj për të siguruar një marrëveshje paqeje.

Kievi ka refuzuar vazhdimisht heqjen dorë nga territori, dhe çdo marrëveshje sipas së cilës Ukraina do të pranonte të lëshonte tokën që Rusia mori me forcë do të ishte e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Në postimin e tij në Truth Social, Trump tallte Rusinë për “luftën pa qëllim për tre vjet e gjysmë në një luftë që një Fuqie të Vërtetë Ushtarake duhet t’i kishte marrë më pak se një javë për ta fituar”, dhe pretendoi se konflikti i vazhdueshëm po rëndon mbi ekonominë ruse.

“Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe, në veçanti, NATO-s, kufijtë origjinalë nga ku filloi kjo Luftë, janë një mundësi e madhe”, shkroi Trump.

Ai gjithashtu u zotua të vazhdojë të furnizojë me armë NATO-n, duke shtuar se NATO mund të “bëjë çfarë të dojë me to”./CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë