Bota

Trump kërkon që gjyqi për korrupsion ndaj Netanjahut të anulohet

Gazeta Si – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar që Izraeli ta falë kryeministrin Benjamin Netanjahu, ose ta anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtojë atë ashtu siç e shpëtoi vendin e tij.

Ndaj Netanjahut u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. Ai i mohon të gjitha akuzat.

Gjyqi ndaj tij filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale. Netanjahu është deklaruar i pafajshëm. “Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin [e Izraelit]”, shkroi Trump në platformën Truth Social të mërkurën, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën.

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje. “Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur”, tha Lapid.

“Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që ai [Trump] po i jep atij [Netanjkahut], sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën”, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

Trump e lavdëroi Netanjahun si një “luftëtar”, por shtoi në postimin e tij: “Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanjahun”.

Duket se ai po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes së SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit.

Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se SHBA-ja mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash” – një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA, dhe të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për ta përshkruar gjyqin ndaj tij.

Fjalët e ngrohta të Trumpit vijnë pas një qortimi të rrallë që ai ia bëri të martën Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit pas armëpushimit. /REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë