Bota

Trump kërkon me çdo kusht Groenlandën: Nëse thoni jo, do ta mbajmë mend!

Nga Gazeta ‘Si’- Edhe pse tha se donte ta linte jashtë fjalimit, presidenti i SHBA Donald Trump e ktheu vëmendjen tek Groenlanda në fjalimin e tij në Davos.

Ai filloi me një ton relativisht pajtues, duke thënë:

“Kam respekt të jashtëzakonshëm për popullin e Groenlandës dhe popullin e Danimarkës. Por çdo anëtar i NATO-s ka detyrimin të mbrojë territorin e vet.

Askush nuk mund ta sigurojë Groenlandën përveç SHBA-së”, këmbënguli ai.

Ai thotë se bota e pa këtë në Luftën e Dytë Botërore, kur “Danimarka ra në duart e Gjermanisë pas gjashtë orësh luftimesh”.

“Pastaj u detyruam të dërgonim forcat tona për të mbajtur territorin e Groenlandës, me kosto dhe shpenzime të mëdha, thotë Trump, duke ngritur baza ushtarake në këtë copë të madhe dhe të bukur akulli”.

“Pas luftës, ia kthyem Groenlandën Danimarkës. Sa budallenj ishim që e bëmë këtë? Sa mosmirënjohës janë tani”, tha Trumpi.

Megjithatë, ai shtoi se SHBA-të po kërkojnë “negociata të menjëhershme” për të diskutuar blerjen e Groenlandës.

Ai tha se nuk do përdorin forcë por shtoi se Danimarka po shpenzon më pak para sesa ishte premtuar për Groenlandën.

“Janë vetëm SHBA-të që mund ta mbrojnë këtë masë gjigante toke, këtë copë gjigante akulli, ta zhvillojnë dhe ta përmirësojnë atë”, thotë ai.

Trump thotë se ishulli mund të luajë “një rol jetësor në paqen dhe mbrojtjen botërore”.

Ai këmbënguli se është “një kërkesë shumë e vogël”, krahasuar me atë që SHBA-të i kanë dhënë NATO-s për shumë dekada. Më tej ai vuri në pikëpyetje angazhimin e anëtarëve të tjerë të NATO-s ndaj aleancës, duke thënë:

“Ne jemi atje për NATO-n 100%, nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin atje për ne.”

Pastaj drejtuar elitës globale Trump tha: “Mund të thoni po dhe ne do të jemi shumë mirënjohës, ose mund të thoni jo dhe ne do ta mbajmë mend.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë