Pas një sërë paralajmërimesh dhe kritikash, Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka dërguar së fundmi disa letra të ashpra aleatëve të NATO-s, duke u kërkuar të shpenzonin më shumë për mbrojtjen ushtarake. Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksonte ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara po humbasin durimin dhe se gjitha vendet e NATO-s duhet të përmbushinn detyrimet si anëtare të barabarta të aleancës ushtarake. Letrat e dërguara në qershor, kanë shaktuar jo pak ankth në kontinentin europian, ku shumica e vendeve anëtare, përfshirë edhe kombet më të fuqishme, nuk përmbushin objektivat e NATO-s.
Lajmi i publikuar nga gazeta amerikane “New York Times” vjen vetëm një javë para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel, i cili duket se do të testojë jo vetëm angazhimit e Presidentit amerikan ndaj aleancës, por edhe qendrimin e vendeve anëtare ndaj rritjes së shpenzimeve. Si gjatë fushatës presidenciale, ashtu edhe pas emërimit si president, Trump ka vënë në pikëpyetje në mënyrë të përsëritur angazhimin e NATO-s duke argumentuar se Uashtingtoni po mban peshën kryesore të aleancës dhe se anëtarët e saj po përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara. Në letrat e tij, presidenti paralajmëroi se pas një viti kërkesash dhe akesash publike dhe private nga ana e SHBA-së, aleatët europianë nuk kanë bërë asgjë për të ndarë barrën e mbrojtjes ushtarake.
A ka ardhur një letër e tillë për qeverinë shqiptare?
Pavarësisht kritikave dhe këndvështrimeve të ndryshme të vendeve anëtare, shumë kombe europiane nuk i arrijnë objektivat e shpezimeve ushtarake të vendosura nga NATO, përfshirë këtu edhe vendin tonë. Vitin e kaluar SHBA-ja shpenzoi 3.6% të PBB-së së saj për mbrojtjen ushtarake, raporti më i lartë i çdo anëtari të NATO-s (dhe buxheti më i lartë ushtarak në botë). Shifra arrinte pothuajse dyfishi e objektivit prej 2% të PBB-së që anëtarët e NATO-s u pajtuan të paguanin në vitin 2006. Në atë kohë vëtëm gjashtë anëtarë e mbajtën fjalën, ndërsa vitin e kaluar ishin pesë.
Ashtu si shumë vende të tjera anëtare, as Shqipëria nuk i është afruar këtij objektivi. Letrat e Presidentit amerikan janë dërguar muajin e kaluar, por asnjë nga vendet që përflitet se kanë marrë këto kërkesa me shkrim, nuk ka zgjedhur t’i bëjë publike. Kjo do të thotë se Presidenti amerikan mund t’u ketë dërguar këto “fletë-rrufe” të gjitha qeverive të vendeve anëtare në NATO-s, përfshirë këtu edhe qeverinë shqiptare. Vendi i dytë që shpenzonn më shumë për NATO-n është Greqia. Edhe pse në krizë të thellë ekonomike ky shtet shpenzon 2.6 për qind të Prodhimit Kombëtare për mbrojtjen.
Por për Shqipërianë, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen janë ulur në 0.7 për qind. në vitin 2017. Kjo e ka zbritur Tiranën zyrtare në listën e vendeve që shpenzojnë më pak për mbrojtjen, duke qenë shumë larg detyrimit të NATO-s. Në vlerë, Shqipërisë i duhet të shpenzojë mbi 100 milionë euro shtesë çdo vit. Në pamje të parë duket se në një buxhet prej më shumë se tre miliard eurosh, kjo shtesë nuk është një sakrificë e madhe. Por, në fakt, 70 për qind e buxhetit është e paprekshme për shkak se shkon për shpenzime të domosdoshme, si rroga, pensione e kosto administrative. 100 milionëshi shtesë çdo vit, do të duhej të hiqej ose nga investimet, ose përmes borxhit nga qeveria ose rritjes së taksave. Megjithatë, në Konferencën e Komitetit të NATO-s që u mbajt në Tiranë në tetor, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake. Rama ka zbuluar edhe mënyrën sesi do të mundësohet rritja e financimit pa rënduar shumë buxhetin modest të Shqipërisë.
“Nëpërmjet një projekti të ri do të mundësojmë që Forcat e Armatosura, një pjesë të financimit që do të marrin nga buxheti i shtetit ta kthejnë mbrapsht në shërbime publike, si në angazhimin me emergjencat civile, në kontrollin e hapësirës detare dhe ajrore, apo edhe në mbështetje të Policisë së rendit”, tha ai- Ne jemi bashkuar në angazhimet e Aleancës në një nivel mbiprofesional. Misionet e Shqipërisë në NATO nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë nuk ka qenë e lehtë për shkak të resurseve të kufizuara të vendit, por prania jonë do të fuqizohet me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, ashtu sikurse FA tona do të jenë prezent në çdo front ku do të thirren. Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për angazhimet e NATO-s”, ka deklaruar Rama.
Por deri më tani qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë masë konkrete për rritjen e shpenzimeve, duke bërë që edhe vendi ynn të jetë “nën shënjetrën” e SHBA-së.
Çfarë shkruante Trump?
Që nga viti 1970 shumë presidentë amerikanë janë ankuar për shpenzimet e pakta të aleatëve europianë, duke theksuar ndër të tjera se nuk është e drejtë që SHBA-ja të mbajë barrën kryesore të aleancës, kur është vendi që ka më pak nevojë për mbrotje ushtarake. Megjithatë, në letrat dërguar aleatëve, Trump ka paralajmëruar masa konkrete, duke shkruar se do të marrë në konsideratë zvogëlimin e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën .
"Siç kemi diskutuar gjatë vizitës suaj në prill, Shtetet e Bashkuara janë të frustuara, sepse disa aleatë nuk kanë rritur shpenzimet ushtarake siç kanë premtuar- i shkruante Trump Kancelares gjermane, Angela Merkel, në një letër më të ashpër se ato të lidërve të tjerë europianë- Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të paguajnë dhe të vënë në dispozicion më shumë burime për mbrojtjen e Evropës, kur ekonomia e kontinentit, duke përfshirë Gjermaninë, është rritur ndjeshëm, përgjatë viteve të fundit. Kjo nuk është më e përshtatshme për ne. Kongresi i Shteteve të Bashkuara është gjithashtu tejet i shqetësuar. "
Administrata Trump është duke planifikuar një tërheqje në shkallë të gjerë të forcave amerikane nga Gjermania, pasi presidentit amerikan i duket e papërshtatme që 35,000 trupa aktive janë vendosur në tokën gjermane. Në letrën e tij, Trump i tha zonjës Merkel se Gjermania është gjithashtu fajtore që vendet e tjera të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm: "Vazhdimi i mungesës së shpenzimeve nga ana e qeverisë gjermane minon sigurinë e aleancës dhe është një siguri për aleatët e tjerë që nuk planifikojnë për të përmbushin angazhimet e shpenzimeve ushtarake, sepse vendet e tjera e shohin Gjermaninë si një model. "
Ndërkohë, në letrat e tij për Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, Kryeministren norvegjeze Erna Solberg dhe Kryeministrin belg Charles Michel, Trump shkruante se e kupton presionin e brendshëm politik që i pengonn aletët të rrisin shpenzimet ushtarake, por vinte në dukje se SHBA-ja ka shpenzuar kapital të konsiderueshëm për aleancën".
"Megjithatë, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë t’u shpjegojmë qytetarëve amerikanë pse disa vende nuk ndajnë barrën e sigurisë kolektive të NATO-s, ndërkohë që ushtarët amerikanë vazhdojnë të vriten jashtë shtetit ose të kthehen në shtëpi të plagosur rëndë", i shkrunate Trump zonjës Merkel.
Kush shpenzon?
Gjatë një samiti, në vitin 2014, anëtarët e NATO-s ranë dakort do të përmbushnin detyrimet e tyre deri në vitin 2024. Disa prej tyre kanë rritur fuqishëm shpenzimet ushtarake, kryesisht në Evropën Lindore, ku kërcënimi nga Rusia është më prezent se kurrë. Këto vende kanë tendencë të kenë ekonomi relativisht të vogla, krahasuar me standardet e NATO-s. Greqia, Estonia dhe Polonia përmbushin tanimë objektivin, ndërkohë që Letonia dhe Lituania janë shumë pranë këtij qëllimi. Por disa nga anëtarët më të mëdhenj dhe më të pasur të aleancës vazhdojnë të bëjnë rezistencë për rritjen e shpenzimeve. Gjermania, e cila ka më shumë hapësirë fiskale për manovrim se çdo vend tjetër i NATO-s, shpenzon vetëm 1.2% të PBB-së së saj. Spanja dhe Italia kanë ulur buxhetet e tyre ushtarake në rreth 1% gjatë dekadës së kaluar. Në Evropë, letrat për aleatët e NATO-s janë pritur me një farë alarmi për shkak të sugjerimeve se zoti Trump është i përgatitur të imponojë pasoja mbi aleatët, ashtu siç imponoi tarifa ndaj produkteve europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.