Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të hënën se do të vendosë një tarifë shtesë prej 50 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina nëse Pekini nuk i tërheq tarifat hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara.
“Gjithashtu, të gjitha bisedimet me Kinën në lidhje me takimet që ata kanë kërkuar me ne do të ndërpriten! Negociatat me vende të tjera, të cilat gjithashtu kanë kërkuar takime, do të fillojnë menjëherë”, tha Trump në një postim në Truth Social.
Javën e kaluar, Trump vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze. Këto tarifa janë pjesë e një vendimi më të gjerë, përmes së cilit SHBA-ja ka vendosur tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë.
Më 4 prill, Pekini iu kundërpërgjigj tarifave të reja amerikane, duke vendosur një tarifë shtesë prej 34 për qind ndaj mallrave amerikane, lëvizje që paraqet një përshkallëzim në luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha gjithashtu se do të vendosë më shumë kontrolle mbi eksportet e mineraleve të rralla, të cilat përdorën në produkte të teknologjisë së lartë, si çipat kompjuterikë dhe bateritë e automjeteve elektrike.
Kërcënimi i fundit i Trumpit për tarifat prej 50 për qind trazoi edhe më shumë tregjet financiare globale, të cilat kishin rënë vazhdimisht që prej njoftimit të javës së kaluar nga Trump.
Një tarifë bazë prej 10 për qind hyri në fuqi për të gjitha importet në tregun amerikan të shtunën, dhe tarifat për disa shtete që mund të arrijnë deri në 50 për qind priten të hyjnë në fuqi të mërkurën.
Aksionet amerikane ndaluan përkohësisht rënien e tyre pas një raporti që thoshte se Trumpi po shqyrtonte një pauzë 90-ditore për tarifat, por rënie filloi sërish pasi Shtëpia e Bardhë e cilësoi raportin si “lajm të rremë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.