Bota

Trump i heq Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë

Nga Gazeta ‘Si’- Administrata e Donald Trump i ndaloi universitetit të Harvard të regjistrojë studentë të huaj. Mijëra studentë që janë aktualisht të regjistruar duhet të transferohen në shkolla të tjera ose të largohen nga vendi.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi vendimin, duke thënë se Harvardi ka krijuar një mjedis të pasigurt në kampus duke lejuar “agjitatorët anti-amerikanë dhe pro-terroristë” të sulmojnë studentët hebrenj. Pa dhënë ndonjë provë, departamenti gjithashtu akuzoi Harvardin për koordinim me partinë komuniste kineze.

Harvardi regjistron pothuajse 6.800 studentë të huaj në kampusin e tij, që përbëjnë më shumë se një të katërtën e trupës studentore. Shumica janë studentë të diplomuar, që vijnë nga më shumë se 100 vende.

Në një deklaratë Universiteti e quajti vendimin e administratës së Trump të paligjshëm dhe shprehu përkushtimin për të vijuar të presë studentë të huaj, që pasurojnë vetë institucionin dhe Shtetet e Bashkuara.

Ky veprim hakmarrës kërcënon dëm serioz për komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të universitetit”, thuhej në një deklaratë.

Ndërkohë një gjykatës në Kaliforni e bllokoi administratën Trump nga ndërprerja e statusit ligjor të studentëve të huaj në të gjithë vendin.

Urdhri i gjykatësit i ndalon qeverisë të arrestojë, burgosë ose zhvendosë studentët diku tjetër bazuar në statusin e tyre ligjor derisa çështja të zgjidhet. Studentët mund të arrestohen për arsye të tjera dhe statusi i tyre ligjor mund të revokohet nëse dënohen për një krim të dhunshëm që mbart një dënim me burg prej më shumë se një viti.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që Harvardi të bëjë ndryshime në punësimin, pranimet dhe praktikat e mësimdhënies për të ndihmuar në luftën kundër antisemitizmit në kampus.

Ajo ka kërcënuar të revokojë statusin e universitetit të përjashtuar nga taksat dhe të ngrijë miliarda dollarë në grante qeveritare.

Harvardi më parë tha se kishte ndërmarrë shumë hapa për të adresuar antisemitizmin.

Administrata e Trump ka kërkuar të gjitha të dhënat disiplinore për studentët jo-emigrantë të regjistruar në Harvard gjatë pesë viteve të fundit. kjo erdhi pas protestave të vazhdueshme në kampuset amerikane në mbështetje të Palestinës.

Disa studentë janë arrestuar muajt e fundit për pjesëmarrje në këto protesta dhe administrata e Trump i ka akuzuar se mbështesin Hamasin dhe terrorizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë