Politike

Trump fton Putinin në Shtëpinë e Bardhë

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Vladimir Putin pas takimit që patën në Helsinki, Donald Trump tha se “Presidenti rus ishte tejet bindës në mohimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2013”.

“Nuk shoh arsye se përse duhej të ndërhynte Rusia”, tha ai.

Deklarata e Trump u bë pak ditë pasi hetuesi special, Rober Mueller dhe grupi i tij publikuan emrat e 12 oficerëve të shërbimeve sekrete ruse si të përfshirë në sulmin kibernetik ndaj serverave të Partisë Demokratike amerikane.

Sulmi ndodhi gjatë fushatës zgjedhore dhe prej andej dolën në pah disa shkëmbime përmes postës elektronike, ku tregohej se si po favorizohej Hillary Clinton në garën brenda demokratëve.

Kritikat ndaj Trump për këtë “mbrojtje” që i bëri Putinit vërshuan nga të gjitha anët. Kundër Presidentit nuk u rreshtuan vetëm politikanët rivalë të njohur tashmë të tij, por edhe figura të larta brenda republikanëve.

Qortimet kësaj here nuk ranë në vesh të shurdhër. Me t’u rikthyer në SHBA Donald Trump nuk pranoi fajin, por tha se ishte shprehur gabim.

“Ajo që doja të thoja është që Rusia ka arsye për t’u përfshirë në çështjet e brendshme të SHBA”, u shpreh ai.

Megjithatë, Trump mbetet i bindur në rrugën drejt “normalizimit” të marrëdhënieve me Rusinë. Së fundmi, Shtëpia e Bardhë njoftoi se është në bisedime me Kremlinin për të organizuar një vizitë të Vladimir Putinit në Uashington.

Nga takimi i parë në Helsinki pak u tha se për çfarë diskutuan dy Presidentët, megjithëse Trump e vlerëson si historik.

“Samiti me Rusinë ishte një sukses i madh për të gjithë, përveçse për median e lajmeve të rreme. Po shoh përpara për takimin tonë të dytë, që të fillojmë të zbatojmë disa prej temave që diskutuam, si ndalimi i terrorizmit, siguria e Izraelit, armët bërthamore…”, shkruan Presidenti Trump në Tëitter ditën e enjte.

Bisedimet për vizitën e Putinit në Uashington duket se Trump po i zhvillon me një rreth të ngushtë njerëzish besnikë të tij, të paktën nga reagimi i kreut të Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats.

“Ou, ka për të qenë speciale”, deklaroi ai duke qeshur gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në Forumin e Sigurisë, Aspen në Kolorado.

Nga demokratët kërkohet që Trump të raportojë se për çfarë diskutoi me Putin në Helsinki, pastaj të zhvillojë një takim të dytë me të kokë më kokë.

“Deri kur të mësojmë se çfarë ndodhi në takimin dy orësh në Helsinki, Presidenti nuk duhet të ketë asnjë takim kokë më kokë me Putinit, as në SHBA, as në Rusi dhe as kudo tjetër”, deklaroi kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Për analistët, Donald Trump mund të jetë nxitur nga një sondazh i fundit, që tregon se pavarësisht se publiku në një pjesë të madhe nuk i miraton qëndrimet e tij, baza republikane që e mbështet mbetet e pandryshuar dhe e kënaqur nga performanca e Presidentit në Shtëpinë e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë