Analize

Trump është i inatosur! Bota nuk po i jep marrëveshje të lehta

Në Lindjen e Mesme, ashtu si në Ukrainë, presidenti po zbulon se truket e thjeshta të ngacmimit nuk i zgjidhin krizat komplekse ndërkombëtare.

Nga Gazeta ‘Si’-  “Mund ta bëj. Mund të mos e bëj ”, u tha Trump gazetarëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Pyetja ishte nëse do të bashkohej me sulmet ajrore izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Disa ditë më vonë, bombarduesit amerikanë ishin nisur. Disa e prisnin që kjo të ndodhte. Të tjerë, përfshirë Keir Starmer, kishin deklaruar publikisht se nuk e prisnin.Askush nuk e dinte. Doktrina e paparashikueshmërisë nuk do ishte shkelur në asnjë mënyrë.

Kjo vlen edhe në politikën ekonomike dhe të brendshme.

Paqëndrueshmëria është një tipar i personalitetit presidencial, por edhe një teknikë e mësuar menaxhimi. T’i mbash të gjithë përreth duke hamendësuar, duke kaluar nga shakaja në kërcënim- janë metoda të kontrollit shtrëngues.

Udhëheqësit e huaj nuk janë oborrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Ata mund të kërkojnë favorin e presidentit amerikan në tregti ose të kenë frikë nga zemërimi i tij ushtarak, por gjithmonë me interesa kombëtare konkurruese në sfond. Në skenën botërore, Trump nuk do ta ndiejë kurrë përkushtimin e pastër që merr nga besimtarët në një tubim të Maga-s, gjë që është një arsye pse ai e urren të udhëtojë.

Ky tension ishte i dukshëm në samitin e NATO-s këtë javë në Hagë. Trump nuk e fshehu përbuzjen e tij për demokracitë europiane. Ai nuk është i bindur se mbrojtja e kontinentit të tyre, veçanërisht e asaj pjese të tij nën sulmin e dhunshëm nga Rusia, është problemi i SHBA-së.

Kërcënimi që ai bëri shkurtimisht në mandatin e tij të parë për t’u tërhequr nga NATO nëse anëtarët e tjerë nuk do të fillonin të paguanin për ta, ende varet mbi aleancën. Udhëheqësit europianë duhet të përpiqen ta mbajnë Trumpin në krah, ndërsa planifikojnë situata të paparashikuara për ditën kur ai mund të vendos t’i braktisë ata.

Kjo është doktrina: askush nuk e di. Kjo i detyron anëtarët e NATO-s të bëjnë një valle të sikletshme, duke performuar në dobi të Trump, ndërkohë që punojnë edhe rreth tij. Ata duan ta impresionojnë atë me ambicien e tyre financiare, duke u zotuar të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre kombëtare për mbrojtje deri në vitin 2035. Por ata gjithashtu e dinë se nuk duhe të presin ndonjë angazhim reciprok.

Lufta në Lindjen e Mesme e rrit pasigurinë në nivele të reja. Udhëheqësit europianë duhet të qëndrojnë të përqendruar te Ukraina dhe te perspektiva e Rusisë që e drejton agresionin e saj territorial në ndonjë pjesë tjetër të krahut lindor të NATO-s. Vladimir Putin nuk sheh legjitimitet në kufijtë që u hartuan nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ai gjithashtu e ka përshtatur ekonominë, aparatin politik dhe makinerinë e propagandës së Rusisë për të supozuar luftë të përhershme me perëndimin. Një mësim nga gjendja e vështirë e Ukrainës është të supozojmë se kur Putini thotë se do të luftojë, ai e mendon me gjithë mend.

Këto llogaritje i mbajnë europianët zgjuar natën, por jo Trumpin. Ai nuk e njeh Rusinë si agresore në Ukrainë dhe do të shihte me kënaqësi përfundimin e luftës me kushte që e lënë NATO-n të poshtëruar dhe Putinin të trimëruar, dhe që sinjalizojnë një ndryshim epokal në ekuilibrin e fuqisë globale larg demokracisë.

Por, formulimi i zgjedhjes në terma të mëdhenj gjeostrategjikë errëson motivet më të vogla, të cilat shpesh janë ato më të spikaturat tek Trump. Ai nuk dëshiron të marrë anën e Kievit sepse kjo është ajo që bëri Joe Biden. Nuk është kauza e tij dhe për këtë arsye ai mendon se është budallallëk.

Ky nuk është rasti me Iranin. Aleatët e SHBA-së duhet, të paktën publikisht, ta gjykojnë ndërhyrjen ushtarake të Trump sikur të ishte bërë sipas një llogaritjeje konvencionale diplomatike dhe strategjike: perspektiva e Teheranit që ushtron fuqi të apokalipsit bërthamor është vërtet e neveritshme; negociatat nuk po jepnin fryte. Ndoshta kishte arsye për të kundërshtuar vlerësimet e inteligjencës amerikane që thoshin se pragu i gatishmërisë për armë nuk ishte i afërt. Ndoshta koha për të vepruar ishte vërtet afër.

Suksesi i hershëm izraelit – një arritje e jashtëzakonshme e inteligjencës ushtarake që shkatërroi komandantët dhe asetet e larta iraniane – i ofroi Trumpit mundësinë e ngjitjes në një operacion fitues.

Të dhënat se ndryshimi i regjimit ishte në axhendë mund ta kenë shtyrë Ali Khamenein, udhëheqësin suprem të Iranit, drejt një armëpushimi, mbi bazën se kapitullimi i hershëm me njëfarë pushteti të ruajtur, ndonëse i papranueshëm, është i preferueshëm sesa vrasja. Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë këmbëngulën se qëllimet e luftës ishin të kufizuara në përmbajtjen e kërcënimit bërthamor, por meqenëse ata as nuk e dinin se një luftë po vinte, autoriteti i tyre për këtë çështje është i dyshimtë.

Mbështetësit e Trump thonë se kjo është provë se stili i tij i paqëndrueshëm funksionon. Në studimet strategjike njihet si “teoria e të çmendurit”. Rreziku i dukshëm është se i mëson gjithashtu pjesës tjetër të botës meritat e çmendurisë. Sundimtarët e Iranit do të jenë më të bindur se kurrë se vetëm armët bërthamore mund të garantojnë sovranitetin e tyre. (Kjo pikëpamje do të vazhdonte deri në ndryshimin e regjimit, pasi asnjë nga skenarët e zbatueshëm nuk rezulton në një lulëzim të demokracisë pro-perëndimore në rajon. Ambiciet atomike të Teheranit mund të pengohen me vite, por kauza e mospërhapjes së negociuar dhe shumëpalëshe është gjithashtu në kolaps.)

Kjo nuk i intereson Trumpit. Ai mendon për fitore të lehta, jo për pasoja komplekse. Prandaj erdhi edhe acarimi i tij me Izraelin dhe Iranin për shkeljen e armëpushimit. Ai është i vetëdijshëm se duket sikur është mashtruar nga Netanyahu, ashtu siç dikur tregoi një shkëndijë frustrimi me Putinin për “përfshirjen” e tij në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai u premtoi votuesve amerikanë marrëveshje. Ai zemërohet kur bota ia fsheh ato.

Ky është një funksion natyror i doktrinës së paparashikueshmërisë. T’u thuash vendeve të tjera se nuk mund ta dinë kurrë se çfarë do të bësh, i bën ato më pak të ndjeshme ndaj diplomacisë; më pak të bindura ndaj tekave të një presidenti amerikan. Pastaj fillon një rreth vicioz. Trump mbështetet në personalitetin e tij të paqëndrueshëm për të ushtruar kontroll në situata që nuk i kupton, duke gjeneruar kaos që ekspozon pafuqinë e tij.

Për demokracitë europiane kjo është dobësuese. Është e vështirë të koordinosh mbrojtjen kundër kërcënimeve të jashtme kur fuqia supreme në aleancën tënde është origjina e kaq shumë paqëndrueshmërive.

Gjëja që u nevojitet më shumë prej tij – besueshmëria – është e vetmja gjë që ai është i destinuar nga personaliteti dhe doktrina të mos e ofrojë kurrë.

Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë