Nga Gazeta ‘Si’– Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të debatojë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, por me kushtin që ai të testohet për përdorimin e drogave.
“Dua të debatoj me të. Por do të kërkoj testin e drogës. Nuk dua që të dalë aty siç doli te State of the Union (fjalimi vjetor para Kongresit) ku ishte i droguar”, tha Trump gjatë një takimi në Mineapolis.
Ai kritikoi edhe moderatorin e CNN, Jake Tapper, i cili parashikohet të drejtojë debatin, por tha se do t’ia dilte mbanë kundër tij dhe se priste që ai të tregohej i drejtë.
Debati i parë mes Trump e Biden do të zhvillohet më 27 qershor në CNN, në studiot qendrore të televizionit në Atlanta, Xheorxhia. Debati i dytë do të zhvillohet më 10 shtator në televizionin tjetër amerikan, ABC.
Debatet e zhvilluara mes tyre në vitin 2020 kaluan në kaos ku të dy kandidatët i bërtisnin njëri-tjetrit. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të mbahen më 5 nëntor.
Biden kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Trump kërkon të rikthehet pasi humbi katër vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




