Nga Gazeta ‘Si’- “Ki kujdes çfarë dëshiron, se mund të bëhet realitet”, thotë një fabul e Ezopit.
Dhe çdo amerikan që sot brohoret bashkë me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar shpërbërjen e Bashkimit Europian me arsyetimin se ai është një Moloch burokratik fajtor për “fshirje qytetërimi”, duhet ta marrë seriozisht këtë mësim.
Duke lënë mënjanë kontradiktën e hapur mes nderimit të supozuar që lëvizja MAGA i bën sovranitetit kombëtar dhe mënyrës arrogante me të cilën administrata po u jep leksione europianëve se si të organizojnë kontinentin e tyre apo për kë të votojnë, armiqësia anti-BE që shfaqet hapur në Uashington vuan nga një problem edhe më i thellë.
Konkretisht, një Europë pa BE-në nuk do të ishte aspak një kontinent shtetesh-komb sovrane dhe të lulëzuara.
Në realitet, e shkëputur nga projekti europian, kontinenti do t’i ngjante diçkaje si Ballkani Perëndimor pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë: një vend ku të gjitha pakënaqësitë e vjetra ringjallen papritur. Dhe kjo do të ishte veçanërisht e vërtetë nëse shpërbërja e imagjinuar e BE-së do të ndodhte nga duart e aleatëve të supozuar të NATO-s — të ashtuquajturat forca “patriotike” në politikën evropiane.
Në fund të fundit, projekti politik afatgjatë i kryeministrit hungarez Viktor Orbán ka të bëjë pikërisht me rikthimin e “Hungarisë së Madhe”, ashtu siç ekzistonte përpara Traktatit të Trianonit të vitit 1920, dhe qartësisht në kurriz të fqinjëve të menjëhershëm të vendit të tij, si Rumania, Ukraina apo Serbia.
Pastaj është fakti se nacionalistë të tjerë në vendet fqinje mund të kenë idetë e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për shembull, e admiron Slobodan Millosheviç-in, një diktator që nisi luftëra vrasëse për të mbajtur Serbinë dominuese në Ballkan. A do t’ia dorëzonte ai thjesht Suboticën — apo Szabadkën në hungarisht — homologut të tij autoritar në Budapest?
(Projekti politik afatgjatë i kryeministrit hungarez Viktor Orbán ka të bëjë me rikthimin e “Hungarisë së Madhe”.)
Po pikëpamjet e figurave si Diana Șoșoacă, një anëtare e Parlamentit Europian, e cila dëshiron të aneksojë territore “historikisht rumune” si Bukovina Veriore nga Ukraina?
Arsyeja kryesore pse këto, dhe shumë forma të tjera të revizionizmit historik, mbahen sot nën kontroll lidhet me arritjet e projektit europian. Këtu përfshihen gjëra si udhëtimi i lirë pa pasaportë dhe standarde të larta të të drejtave për pakicat. Hiqe BE-në, dhe një mori ngjarjesh që më parë do të ishin të paimagjinueshme bëhen të mundshme — nga luftërat te konfliktet “e ngrira” të llojit që Rusia dhe Serbia i mbajnë në vende si Kosova.
Pa dyshim, në një skenar të tillë, fjalën e tyre do ta kishin edhe lojtarët e mëdhenj — si një Rusi tashmë e guximshme, e inkurajuar nga administrata Trump në Ukrainë dhe e etur për të treguar boshllëkun e Nenit 5 të NATO-s; apo edhe një Gjermani nën drejtimin e mundshëm të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, të cilës aleati i Trump-it, Elon Musk, i ka bërë thirrje të kapërcejë ndjenjën historike të fajit.
Çfarë mund të shkojë keq, vallë?
Sugjerimi se BE-ja përfaqëson një rrugë pa krye për qytetërimin europian zbulon një padije të thellë për historinë e kontinentit.
Që nga rënia e Perandorisë Romake, Europa ka qenë gjithmonë në ekuilibër mes unitetit dhe diversitetit kulturor e politik, dhe pasardhësit e saj institucionalë gjysmë-federalë, sado të ngathët, janë pjesë e kësaj tradite. Larg së qeni një përjashtim, BE-ja vazhdon trashëgiminë e Perandorisë së Shenjtë Romake, Lidhjes Hanseatike apo Republikës Polako-Lituaneze.
Sigurisht, dikush mund të argumentojë se ajo që ndodh në Europë duhet të jetë problem i vetë Europës, jo i Amerikës. Por ky, në rastin më të mirë, është një argument për shkëputje — përfshirë edhe tërheqjen e ombrellës së sigurisë amerikane nga Europa — dhe jo për përpjekjet aktuale të Musk-ut dhe Uashingtonit për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën europiane.
Për më tepër, argumenti për shkëputjen e SHBA-ve është i dobët dhe ahistorik. Si në vitin 1917 ashtu edhe në vitin 1941, amerikanët e mësuan me kosto të lartë se, edhe nëse nuk ishin të interesuar për një luftë europiane, një luftë europiane mund të ishte shumë e interesuar për ta.
Në rastin e parë, kërcënimi ndaj interesave amerikane erdhi nga sulmet detare gjermane ndaj anijeve amerikane që lundronin drejt dhe nga Britania. Në rastin e dytë, Gjermania shpalli hapur luftë pasi aleati i saj i fuqizuar, Japonia, sulmoi Pearl Harbor-in.
Politika amerikane e pasluftës ndaj Europës, e cila gjithmonë ka përfshirë mbështetje të gjerë për projektin e integrimit ekonomik rajonal, nuk ishte produkt i naivitetit apo i “budallallëkut” të udhëheqësve të mëparshëm amerikanë. Ajo u udhëhoq nga përpjekja për të parandaluar një tjetër luftë europiane.
Dhe kjo politikë ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke përkuar jo vetëm me një periudhë paqeje dhe prosperiteti të paprecedentë në Europë, por edhe me ngritjen e Amerikës si fuqia globale e pakontestueshme — pjesërisht falë marrëdhënies transatlantike.
Luftërat kulturore janë gjithmonë emocionuese dhe, të zhvilluara në sfondin e një strategjie të sigurisë kombëtare thellësisht anti-europiane, ajo që administrata Trump po zhvillon kundër BE-së nuk bën përjashtim.
Por, edhe pse sot duket gjithçka lojë e argëtim, nëse BE-ja do të shembej nga goditjet e Rusisë dhe të SHBA-ve të Trump-it, amerikanët mund të jenë të sigurt për një gjë: do ta pendoheshin shumë shpejt.
Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




