Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump tha se ushtria amerikane thuajse i kishte arritur qëllimet e veta në Iran, por nuk dha një afat të qartë për fundin e luftës.
Në vend të kësaj, ai u zotua se do të bombardojë fort Iranin gjatë 2/3 javëve në vazhdim, për ta kthyer vendin ‘në epokën e gurit’.
Përballë një publiku amerikan të lodhur nga lufta, rënies së mbështetjes dhe presionit nga disa aleatë për të sqaruar objektivat e luftës në mënyrë më të saktë dhe të qëndrueshme, Trump tha se SHBA-ja kishte shkatërruar marinën dhe forcën ajrore të Iranit, si dhe kishte dëmtuar rëndë programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore.
“Ne po e çmontojmë në mënyrë sistematike aftësinë e regjimit për të kërcënuar Amerikën ose për të projektuar fuqi jashtë kufijve të tij. Kjo do të thotë eliminimin e marinës së Iranit, e cila tani është praktikisht e shkatërruar plotësisht, goditjen e forcave të tyre ajrore dhe të programit të tyre raketor në nivele të papara më parë, si dhe shkatërrimin e bazës së tyre industriale të mbrojtjes. Marina e tyre është zhdukur. Forcat ajrore janë zhdukur. Raketat e tyre janë pothuajse të shteruara ose të neutralizuara. Dhe ne do ta përfundojmë këtë punë, dhe do ta përfundojmë shumë shpejt”, tha Trump.
Ai i kaloi shpejt disa çështje madhore ende të pazgjidhura, si statusi i uraniumit të pasuruar të Iranit dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimet globale të naftës, të cilën Irani në fakt e ka mbyllur.
Trump tha se ngushtica do të hapej “natyrshëm” sapo të përfundonte lufta.
“Irani në thelb është shkatërruar. Pjesa e vështirë ka mbaruar. Kështu që duhet të jetë e lehtë. Dhe në çdo rast, kur ky konflikt të përfundojë, Ngushtica do të hapet natyrshëm. Thjesht do të hapet vetë. Ata do të duan të jenë në gjendje të shesin naftë, sepse kjo është gjithçka që kanë për t’u përpjekur të rindërtohen”.
Fjalimi 19-minutësh i Trump bëri shumë pak për të qetësuar amerikanët dhe aleatët e SHBA, të cilët po ndiejnë gjithnjë e më shumë presion në çmimet e karburantit dhe po bëhen gjithnjë e më të paduruar me luftën.
Çmimet e naftës u rritën menjëherë pas komenteve të Trumpit, duke reflektuar edhe një herë shqetësimin se konflikti ka të ngjarë të zgjasë edhe për disa kohë. Në fjalimin e tij, Trump nuk përmendi çështjen e NATO-s, pasi më herët kishte deklaruar se po konsideronte tërheqjen nga aleanca për shkak të refuzimit të shteteve anëtare për ta ndihmuar në luftën me Iranin
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje