Bota

Trump dhe liderët europianë dënojnë sulmin tragjik rus në Ukrainë: Një gabim, e tmerrshme!

Gazeta Si – Liderët botërorë dhe europianë, kanë dënuar sulmin raketor rus në qytetin Sumy të Ukrainës, ku u vranë 34 persona dhe u plagosën qindra të tjerë ditën e diel.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e cilësoi një gabim sulmin tragjik që goditi qytetin verilindor Sumy në Ukrainë.

Nga bordi i “Air Force One”, duke udhëtuar për në bazën e përbashkët Andrews në Maryland, kreu i Shtëpisë së Bardhë etiketoi administratën e Biden si përgjegjëse kryesore për luftën në Ukrainë.

“Unë mendoj se ishte e tmerrshme dhe më thanë se ata bënë një gabim. E gjithë lufta është një gjë e tmerrshme. Ky vend nuk do të kishte lejuar kurrë që ajo luftë të kishte filluar nëse unë do të isha president. Kjo është lufta e Bidenit, kjo nuk është lufta ime”.

“Siguria e botës është në rrezik nëse Rusia përparon më tej, dhe Presidenti i SHBA Donald Trump duhet të vizitojë Ukrainën për të parë luftën e Rusisë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një intervistë për CBS News.

“Siguria e botës është në rrezik. Nëse nuk qëndrojmë të vendosur, Putin do të përparojë më tej. Nuk janë thjesht spekulime të kota; kërcënimi është real. Përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni në Ukrainë njerëzit, civilët, luftëtarët, spitalet, kishat, fëmijët e shkatërruar ose të vdekur. Ejani, shikoni dhe pastaj… le të lëvizim me një plan… për të përfunduar luftën.”

Zelenski bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë në përgjigje të një sulmi rus ndaj Sumy si dhe njerëzve në SHBA që të shmangin narrativat ruse dhe të kuptojnë se ishte Ukraina vendi që u pushtua.

Mes të tjerash ai u shpreh se të qenit pjesë e NATO-s do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në çdo konflikt të mundshëm. Presidenti ukrainas dënoi zëvendëspresidentin amerikan JD Vance për përpjekjen për të justifikuar pushtimin rus të Ukrainës.

Po ashtu, një numër liderësh europianë dënuan sulmin në Sumy të Ukrainës duke shprehur mbështetje për Ukrainën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e quajti sulmin ‘barbar’, ndërsa liderë të tjerë, si presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, shprehën solidaritetin për viktimat dhe familjet e tyre.

“Të gjithë e dinë se vetëm Rusia e dëshiron këtë luftë. Është e qartë se Rusia dëshiron të vazhdojë luftën, duke treguar përbuzjen e saj për jetën njerëzore, ligjin ndërkombëtar dhe përpjekjet diplomatike të bëra nga Presidenti Trump,” tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ai ishte “i tmerruar nga sulmet e tmerrshme të Rusisë ndaj civilëve në Sumy”, duke shtuar se Putin “tani duhet të pajtohet për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm pa kushte”.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dënoi sulmin duke e cilësuar atë një akt frikacak nga pala ruse. Dy raketa balistike ruse u përplasën në zemër të qytetit verior të Ukrainës, Sumy, të dielën, duke vrarë 34 persona dhe duke plagosur 117 në sulmin më vdekjeprurës në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë