Ne rrjet

Trump dhe Europa paralajmërojnë Putinin. Plani me 5 pika dhe zgjidhja sipas ‘modelit korean’

Gazeta Si – Në videokonferencën e djeshme, Donald Trump, sipas të dhënave jozyrtare, ka pranuar dy kërkesat kryesore të paraqitura nga Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë.

E para: do të jenë vetë ukrainasit ata që do të vendosin për fatin e territoreve të tyre të pushtuara. E dyta: amerikanët janë të gatshëm të ofrojnë, së bashku me evropianët, garancitë e sigurisë për ta mbrojtur Ukrainën nga sulmet e ardhshme.

Këto janë rezultatet politike më të rëndësishme, të cilat tani do të duhet të verifikohen në praktikë, duke filluar pikërisht nga samiti i shumëpritur i nesërm mes presidentit amerikan dhe Vladimir Putin.

Liderët evropianë kanë rënë dakord për një plan me pesë pika, të cilin më pas ia kanë paraqitur presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Me një parathënie metodologjike: roli i amerikanëve mbetet thelbësor për të testuar synimet e vërteta të Putinit. Trump dhe evropianët, pra, janë pajtuar për hapin e parë: “Asnjë negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën”.

Së dyti: nuk diskutohet për kufijtë nëse Zelensky nuk është në tryezë. Së treti: bisedimet duhet të nisin nga linja e frontit në terren.

Së katërti: çdo lëshim ndaj Rusisë duhet të balancohet me garanci të forta mbrojtjeje ushtarake për Kievin. Së pesti: duhet mbajtur lart presioni mbi Moskën përmes sanksioneve.

Lideri ukrainas ishte ndër të parët që mori fjalën. Zelensky, me shumë kujdes, paralajmëroi presidentin amerikan: Putini po përpiqet vetëm të fitojë kohë; ai nuk dëshiron vërtet paqen, përveçse nëse marrëveshja përfundon në një dorëzim të pakushtëzuar për Ukrainën.

Të gjithë, nga presidenti francez Emmanuel Macron te Giorgia Meloni, kanë këmbëngulur në nevojën për të planifikuar që tani një tjetër samit, këtë herë me praninë e Zelensky-t dhe, pse jo, të evropianëve.

Spekulime qarkulluan gjithashtu në periferi të telefonatës. Lideri ukrainas ka ripropozuar “Romën”, pa specifikuar nëse i referohej kryeqytetit italian apo Vatikanit.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përmendur Gjenevën. Por diskutimi ka mbetur sipërfaqësor: ndërkohë duhet parë se si do të shkojë samiti i gushtit.

Përpjekjet e diplomacive po përqendrohen te çështja territoriale. Edhe dje, Trump ishte i prerë: Kievi duhet të përgatitet të heqë dorë nga një pjesë e territorit kombëtar. Është kjo një perspektivë e pranueshme për Zelensky-n? Përgjigjja zyrtare është “jo”.

Por disa vende, ndër të cilat Gjermania, Polonia dhe pjesërisht Italia, po eksplorojnë një rrugë tjetër. Kancelari Merz ka folur për një orë për këtë në takimin dypalësh me Zelensky-n.

Ideja është që të përjashtohet në çdo rast njohja formale (“de jure”) e kalimit të rajoneve ukrainase nën Rusinë.

Pa përjashtime: as për Krimenë, as për pjesën e Donbass-it të pushtuar nga ushtria e Putinit, e aq më pak për distriktet që ende janë nën kontrollin ukrainas dhe që Putini i pretendon.

Mund të arrihet, në vend të kësaj, në ngrirjen e vijës së frontit, me një armëpushim të qëndrueshëm. Pra, zgjidhja koreane, e përmendur disa herë edhe vitet e shkuara, të frymëzuar nga ndarja e Gadishullit midis Seulit dhe Phenianit, me një kufi të militarizuar përgjithmonë.

Referenca është për “modelin korean” të vitit 1953, i cili i ndan dy Koretë përgjatë një vije ushtarake pa një traktat paqeje përfundimtar.

Në këtë rast, Zelensky nuk do të ishte i detyruar, siç parashikon Kushtetuta, të thërrasë një referendum për të sanksionuar dorëzimin e territoreve dhe mund të ushqente shpresën, edhe pse të vakët, për t’i rikuperuar ato një ditë, në epokën pas-Putinit. Kjo sakrificë, megjithatë, do të duhet të kompensohet me garanci të mëdha sigurie.

Ndarja midis dy Koreve lindi në fund të Luftës Koreane, e cila u zhvillua nga viti 1950 deri në vitin 1953. Konflikti përfundoi pa një fitues të qartë, por me humbje të mëdha, dhe më 27 korrik 1953, një armëpushim u nënshkrua në Panmunjom midis forcave të Kombeve të Bashkuara të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Veriut dhe Kina. Një traktat përfundimtar paqeje nuk u nënshkrua kurrë: teknikisht, të dy Koretë janë ende në luftë.

Si do të përkthehej ky model në Ukrainë

Gjenerali Keith Kellogg, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, foli për një “zgjidhje koreane” në një intervistë të kohëve të fundit me “Times”. Duhet të mbahet mend se pozicioni i tij është thjesht formal; ai nuk merr pjesë në negociata.

Një plan i mundshëm do të parashikonte krijimin e tre zonave: territoret aktualisht të pushtuara do të mbeteshin nën kontrollin rus; Ukraina perëndimore (duke përfshirë Kievin, Lvivin dhe Odesën) do t’i besohej mbrojtjes së forcave evropiane, si dhe atyre ukrainase; ndërsa zona në lindje të lumit Dnipro do të ruhej ekskluzivisht nga ushtria e Kievit.

Një zonë e demilitarizuar do të vepronte si një tampon midis palëve ukrainase dhe ruse. Prandaj, nuk do të ketë paqe, por më tepër një lloj armëpushimi, i armatosur që do të ndalojë luftimet dhe do të zvogëlojë rrezikun e përshkallëzimit. Kievit nuk i pëlqen, por nuk ka alternativa të vërteta.

Marrë nga: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë