Ashtu si katër vite më parë, sondazhet më prestigjoze amerikane parashikojnë sërish humbjen e Donald Trump. Edhe pse Presidenti duket se kishte shanse të mira për një mandat të dytë përpara pandemisë, sipas sondazheve qasja e tij ndaj kësaj krize duket se ka bërë që amerikanët të zgjedhin një opsion më të sigurtë: demokratin Joe Biden.
Presidenti Trump është me 10 pikë prapa Biden në sondazhin e fundit kombëtar të realizuar midis votuesve në të gjithë SHBA-ë, duke u përballur me mos miratimin e publikut për menaxhimin e pandemisë, ndërkohë që gëzon miratim të gjerë për ekonominë, zbulon një sondazh i ri i “Wall Street Journal / NBC News”.
Në sondazhin e fundit para ditës së zgjedhjeve, ish-zëvendëspresidenti Joe Biden udhëheq me 52%, ndërsa Trump me 42%. Në veçanti, gratë dhe të moshuarit janë kthyer kundër Presidentit, duke u bërë dy grupet që favorizojnë zgjedhjen e Biden.
Sidoqoftë, sondazhi zbulon se gara është e ashpër në 12 shtete amerikane, që njihen ndryshe si shtetet e lëkundura. Biden mban një epërsi prej 6 pikësh në këto shtete, por avantazhi i lehtë i kandidatit demokrat sinjalizon po ashtu se Trump mund të marrë shumicën e Kolegjit Zgjedhor pa fituar votën e popullore, siç bëri në vitin 2016, kur doli mbi 3 milionë vota popullore më pak se Hillary Clinton.
“Mbështetja për Trump mbetet e fortë në mesin e bazës së tij të votuesve, kryesisht klasës punëtore, të cilët janë të shumtë në shtetet e lëkundura. Ndërsa Biden ka epërsi të mëdha midis njerëzve që kanë votuar herët Trump ka një epërsi midis atyre që thonë se do të votojnë në ditën e zgjedhjeve”, zbulon sondazhi i “Wall Street Journal”.
Shpresat e Trump për fitore qëndrojnë kryesisht në përpjekjet e Komitetit Kombëtar Republikan për të bindur votuesit të hedhin votat e tyre në shtetet e lëkundura, pasi shumë amerikanë ngurojnë të votojnë për shkak ta pandemisë.
“Komiteti Republikan ka shpenzuar sa miliona dollarë, dhe e vetmja gjë në të cilën ata janë përqendruar është pjesëmarrja e votuesve, veçanërisht në gjashtë shtete të lëkundura,” shkruan “Ëall Street Journal”.”Përpjekjet e partisë duket se kanë qënë një ndihmë e jashtëzakonshme për ta kthyer elektoratin në favor të Trump, ashtu si ish-Presidenti George W. Bush bëri në 2004 duke tërhequr më shumë konservatorë në votime.
Trump po përballet me një elektorat që mban pikëpamje negative të performancës së tij të përgjithshme. Në sondazhet e NBC News që matnin pikëpamjet e qytetarëve mbi arritjet e Trump, nuk kishte asnjë sondazh të vetëm që theksonte se amerikanë miratonin punën e tij si president”.
Fushata 2020 po i afrohet fundit dhe shqetësimi më i madh i votuesve është pandemia e koronavirusit.
Të pyetur se cila çështje ishte më e rëndësishmja për vendimin e tyre në zgjedhje, ekonomia ose koronavirusi, votuesit u ndanë pothuajse në mënyrë të barabartë, duke e bërë kështu garën mes dy kandidatëve edhe më intensive, Rreth 41% e votuesve e quajtën ekonominë si çështjen më të rëndësishme, ndërsa 38% përmendën koronavirusin , me një hendek prej 3 pikësh. Dhe në shenjë shqetësimi për virusin, 55% thanë se më e keqja e pandemisë nuk kishte ardhur akoma.
Një nga avantazhet më të forta të zotit Trump është që 55% e votuesve miratojnë reformat e tij ekonomike, 14 pikë më shumë sesa ata që nuk e miratojnë. Një nga sfidat e tij kryesore është se 57% nuk e aprovojnë qasjen e tij ndaj pandemisë, 17 pikë më shumë sesa ata që e miratojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.