Nga Gazeta ‘SI’ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i vendosin tarifë 10% produkteve që vijnë nga Shqipëria. Në listën e gjatë me më shumë se 60 vende të cilat do të tarifohen nga administrata e Donald Trump është edhe vendi jonë, si pjesë e planit “tarifa reciproke”.

Presidenti Donald Trump tregoi një grafik, që sipas tij tarifat e vendosura ndaj SHBA-ve janë shumë herë më të larta. Sipas tij Kina i vendos SHBA një tarifë prej 67%, kështu që Shtetet e Bashkuara do të ngarkojnë Kinën me një tarifë prej 34%.
Sipas grafikut Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Bashkimin Europian një tarifë prej 20%, Vietnamin me një tarifë prej 46%, Tajvanin 32%, Japoninë 24%, Indinë 26%, Korenë e Jugut 25%, Tajlandën 36% e kështu me radhë.
Trump ka thënë se mbi 80% e makinave të prodhuara në Kore të Jugut shiten në Kore të Jugut, dhe mbi 90% e makinave të shitura në Japoni janë prodhuar në Japoni, dhe se makinat e prodhuara në SHBA përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël në ato vende.
“Ford ka shitje shumë të vogla” në vende të tjera, një disbalancë tregtare që e ka ‘shkatërruar’ industrinë amerikane. Për këtë arsye, duke filluar nga mesnata, do të vendosim një taksë 25% për të gjitha automjetet e prodhuara jashtë vendit”, thaTrump.
Trump e nisi fjalimin e tij duke e cilësuar ditën e sotme si “dita e çlirimit” duke thënë se partnerët tregtarë e kanë grabitur SHBA-në për dekada me radhë.
“Taksapaguesit tanë janë grabitur për më shumë se 50 vjet, kjo nuk do të ndodhë më”, ka thënë Trump.
Ai ka bërë të ditur se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv në lidhje me “tarifat reciproke”.
“Unë do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për tarifa reciproke me të gjitha vendet e botës. Reciproke, do të thotë se ata na vendosin tarifa neve, kurse ne u vendosim tarifa atyre. Shumë e thjesht. Nuk mund të ishte më e thjeshtë se kaq”.
Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe shtetet aziatike për tarifa në automjetet e prodhuara në SHBA.
“Ato ditë kanë përfunduar”, ka thënë ai.
Gjatë fjalimit të tij Trump i është rikthyer retorikës tradicionale “Amerika e para”, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të tërhiqen nga skena botërore.
“Shtetet e Bashkuara s’mund të vazhdojnë me një politikë unilaterale të tërheqjes ekonomike”, ka thënë Trump. “Ne duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në radhë të parë”, ka shtuar ai.
Trumpi ka bërë të qartë për të gjithë liderët botërorë se nëse ata duan të përjashtohen nga “tarifat e tij reciproke”, atëherë ata duhet të ndryshojnë politikat e tyre tregtare.
“Anuloni tarifat tuaja, hiqni barrierat, mos manipuloni me valutat, dhe filloni të blini mallra amerikane në vlerë prej miliarda dollarësh”, ka thënë ai.
Tarifa për vendet e rajonit:
Shqipëria 10%
Turqia 37%
Bosnja 35%
Maqedonia e Veriut 33%
Kosova 10%
Mali i Zi 10%
Serbia 37%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.