Ana e errët

Truku që i shpëton nga dënimi peshqit e mëdhenj të korrupsionit

Raporti i ‘Transparency International’ tregoi se Shqipëria është zhytur më keq në korrupsion, duke zbritur 7 vende në renditjen botërore, krahasur me një vit më parë. Megjithëse statistikat që e renditin Shqipërinë të fundit në Europë janë tronditëse, shumë pak të dyshuar si të korruptuar përfunduan nën hetim pranë asaj që për vite me radhë u njoh si Gjykata e Krimeve të Rënda. Para drejtësisë gjatë 2019-ës u dorëzua si i akuzuar në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda vetëm një i dyshuar për korrupsion, që është prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli, edhe ai i rënë në rrjetën e drejtësisë si pasojë e përgjimeve intensive të kryera dhe që mendohet se u korruptua për 100 euro për të nxjerrë nga sekuestro një automjet. Por këto dyshime bazohen vetëm mbi biseda telefonike, ndaj edhe prokurori u vendos nën masën “detyrim paraqitje” dhe aktualisht gjendet nën hetim nga SPAK. Ndërkohë, çështja më e bujshme që u gjykua te Krimet e Rënda për vitin e shkuar ishte ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u hetua gjatë nga prokuroria dhe u dërgua për gjykim me akuzën e përfshirjes në grup të organizuar kriminal dhe si i dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës. Por gjykata e dënoi Tahirin vetëm për shpërdorim detyre dhe dënimi nga burg i përkthehet në shërbim prove.

Përse përherë vetëm “peshq të vegjël”?

Ndonëse shqiptarët janë përgatitur për peshqit e mëdhenj, SPAK-u është ende në hapat e parë dhe derisa të ngrihet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, vështirë të thuhet se do ketë rezultate së shpejti. Sidoqoftë, gazeta “Si” mëson se një nga peshqit e mëdhenj që vazhdon të jetë në dosje, i deleguar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por, në historikun e Krimeve të Rënda që prej kalimit të veprës së korrupsionit nën kompetencë të tyre (pra që prej 2014-ës), gazeta “Si” mëson se nuk pati asnjë peshk të madh që të ishte i niveleve qeveritare. Rrjeta e drejtësisë gjatë pesë viteve përpjekje për të hetuar të korruptuarit kapi vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, apo persona të lidhur me ta, si avokatë apo edhe të dënuar që flisnin për premtime që u ishin dhënë për t’u liruar. Mes emrave të dënuar për shuma të vogla dhe që ishin njerëz të drejtësisë, peshku më i madh ishte Majlinda Andrea, ish-gjyqtare e Lartë, e dënuar me shërbim prove, por edhe gjyqtarë e prokurorë të tjerë që në vite numri i tyre së bashku me sekserët shkon në 12 të tillë. Mes tyre Dhimitër Pojanaku, Ibrahim Hoxha, Parashqevi Ademi, Rasim Doda, Petrit Vukaj, Shyqyri Çobo, Tom Dedaj apo edhe të tjerë që më herët kishin spikatur për rendiment në drejtësi sikurse Haxhi Giu. Në një rast mjaft flagrant, drejtësia dështoi edhe për të provuar korrupsionin në burgjeve, kur për herë të parë para drejtësisë u përballën me akuza e kundërakuza ndaj njëri-tjetrit një drejtor i Përgjithshëm Burgjesh, Artur Zoto dhe vartësi i tij. Në përfundim, Zoto mori pafajësinë, ndërsa për paradoks zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Iliaz Labi që mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë u shpall fajtor në një proces të veçuar. Por, dosje të mëdha humbën në rrjedhën e ngërçeve proceduriale edhe pse të tilla ishin vetëm në dukje, dhe që do të mund të çonin te peshqit e mëdhenj, të tilla si dosja e Ministrisë së Shëndetësisë që u pushua, apo edhe çështja e rrugës Tiranë-Elbasan, që edhe pse çoi në prokurori zyrtarë të niveleve të larta, në përfundim ajo u delegua si çështje e thjeshtë pranë Prokurorisë së zakonshme.

“Ky është sekreti, përherë para drejtësisë dosjet e mëdha copëtohen për t’u dërguar më pas në një gjykatë të zakonshme, ose për shkaqe proceduriale ato zvarriten deri sa harrohen”, deklaron një ish-gjyqtar, i cili ka dalë në pension dhe që mendon se gjykatat e zakonshme prej vitesh janë mbytur vetëm me qytetarë të thjeshtë, të cilët akuzohen për episode të lehta, por që ndaj tyre drejtësia tregon dhëmbët, ndërsa ndaj të tjerëve ose kihen parasysh shkaqe si mëshira e ligjvënësit ose vetë prokurorët janë tejet të kujdesshëm sa u takon të drejtave të njeriut.

Nga një këqyrje e kryer nga gazeta “Si”, në uebsajtin e Gjykatës së Tiranës vërehet se të pandehur për korrupsion kanë përfunduar dhjetëra qytetarë, të cilët kanë tentuar të korruptojnë policët, duke u dhënë atyre shuma të pakonsiderueshme me shpresën se polici rrugor do t’i toleronte. “Kjo është diçka e mirë, por nuk është asgjë, krahasuar me përpjekjet që duhet të bëjnë autoritetet për të dënuar problematikët e vërtetë që bëjnë kërdinë në shërbimet publike, në tendera apo në koncesione. Aty ndodh korrupsioni i vërtetë, mbas atyre firmave. Ata janë peshqit e mëdhenj”, thotë për gazetën “Si” në anonimitet ish-gjyqtari, i cili mendon që drejtësisë i duhen kurajozë dhe prokurorë të pakompromis me askënd. Ndaj ish-gjyqtari pyet “Si ka mundësi që edhe dosjet që i serviren publikut me bujë, më pas të akuzuarit humbasin njëri pas tjetrit nga rrjedha e drejtësisë?”

A. K është një i ri që u kap pranë “Petro Ninit” në tentativë për të korruptuar policin rrugor. Tashmë, ai gjendet nën shërbim prove. Duke qeshur i riu tregon se “fati i keq i imi ishte ajo aparatura që polici e kishte ndezur. Po ta kishte fikur polici, do i kishte marrë lekët dhe unë do kisha vazhduar rrugën time. Më gjykuan shpejt e shpejt dhe mirë bënë, por ishalla - pas hetimit tim korrupsioni është  dobësuar”, thotë i riu. Aktualisht, dy të tjerë janë nën gjykim për të njëjtin veprim, ndërkohë që policia vazhdon të publikojë statistika qytetarësh të ndaluar, por nga ana tjetër asnjë peshk të madh mes radhëve të saj, të përfolur hapur për korrupsion, të përfshirë në lirim të kërkuarish apo edhe në favorizime të tjera të fortësh.

Tabela e Gjykatës së Tiranës për këtë vit

Histori njerëzish që ndikuan

Pranë Gjykatës së Tiranës për ushtrim të ndikimit të paligjshëm rezulton që në fund të vitit të kaluar janë dënuar vetëm dy persona. Njëri që kërkoi nder dhe tjetri që kërkoi para. E gjitha kjo ndodh në një qeli burgu dhe favori ishte kushte më të mira në qeli për të dënuarin. Gazeta “Si” po ju sjell historinë që nisi nga një telefonatë nga vetë i dyshuari që teksa mbahej në burg, ka treguar se policia i kishte premtuar dhomë më të mirë në shkëmbim të  parave.

“Përpara Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Shërbimit, Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, i pandehuri Aleksandër Muçaj, i cili ishte me statusin e të paraburgosurit në ambientet e IEVP Nr. 302, pranë rrugës “Mine Peza”, Tiranë (pasi me vendimin Nr.123, datë 21.01.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, ndaj tij kishte caktuar masa e sigurimit “arrest ne burg”) ka kallëzuar për veprime të paligjshme punonjësin e policisë, të pandehurin Erjon Dollaj, i cili ishte në pozicionin e përgjegjësit të shërbimit në regjimin e brendshëm, i caktuar në këtë detyrë me urdhrin Nr.563, datë 23.08.2016 të Drejtorit të IEVP 302, Mine Peza, Tiranë.

I pandehuri Aleksandër Muçaj, në cilësinë e kallëzuesit, në kallëzimin e datës 01.02.2019 ka parashtruar ndër të tjera se: “… gjatë vuajtjes së dënimit, përgjegjësi i shërbimit Erjon Dollaj (i pandehuri tjetër në gjykim) i ka kërkuar për llogari të drejtuesit të institucionit një shumë lekësh, në këmbim të akomodimit në një dhomë më të mirë. Ka rënë dakord me kërkesën dhe nëpërmjet një shokut të tij, të quajtur Redis Kullafi, i ka kaluar në llogarinë e tij (të pandehurit Erjon Dollaj) shumën 100 euro. Kur është takuar me punonjësin e policisë, të pandehurin Erjon Dollaj, është vënë në dijeni që i kishte marrë këto para”.

Nga hetimi i mëpasshëm rezultoi se policia i ka kërkuar këstin mujor për ta mbajtur në qeli të mirë dhe konkretisht:

 “Në muajin janar të vitit 2019, pasi e kanë lëvizur nga dhoma me Nr. 20, që e kishin akomoduar, i pandehuri Aleksandër Muçaj, i ka kërkuar arsyen e largimit nga dhoma, punonjësit të policisë, të pandehurit tjetër në këtë gjykim, Erjon Dollaj. Ky i fundit i ka deklaruar se nuk ke paguar këstin për këtë muaj. Pas këtyre fjalëve i ka kërkuar që t’i kthente lekët, por i pandehuri Erjon Dollaj i është përgjigjur me fjalët, që shko dhe kërkoja drejtorit. Pasi ka insistuar që t’i kthente lekët, i pandehuri Erjon Dollaj i thotë që do t’i linte te dyqani i burgut. Të nesërmen, ai i ka çuar te dyqani 12.500 lekë dhe në faturë, sqaron kallëzuesi, i pandehuri Aleksandër Muçaj, ishte shënuar sikur lekët ishin depozituar nga familjarët e tij. Këto lekë i pandehuri Erjon Dollaj i ka dorëzuar te pronari i dyqanit shtetasi Neshet Qendro.

Por ndonëse nga deklaratat rezulton se polici i kishte marrë lekët për t’ia paguar eprorit, prokuroria nuk arriti të provojë dhe as t’i dërgojë hetimet më përpara, duke e lënë çështjen në nivel policësh. Nga ana tjetër, në burgje vazhdon të flitet për pagesa të majme që kryejnë të dënuarit për të marrë qeli Vip, por prokuroria asnjëherë nuk ka mundur të zbulojë peshq që nëse nuk do quheshin të mëdhenj, së paku nuk do ishin cironka. E njëjta gjë edhe në institucione të tjera, te të cilat përherë ata që bien në rrjetë, janë punonjës të thjeshtë, të cilët në fund, ndoshta duke u mbrojtur së largu nga eprorët që i urdhërojnë të kryejnë veprime të paligjshme, ndihma që ju jepet rrugës së drejtësisë është vetëm largimi nga detyra, ndërsa nga drejtësia ata marrin pafajësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë