Futboll

Tronditet Milan, Uefa e gjobit me 12 milionë euro

Pas eliminimit nga Europa League, UEFA i ka dhënë një tjetër goditje të fortë Milanit. Klubi kuqezi është dënuar nga qeveria europiane e futbollit për shkak të shkeljes së rregullave Fair Play. Milan do duhet të paguaj një gjobë të majme prej 12 milionë eurosh nga arkëtimet që ka marrë nga Uefa. Por ky nuk është dënimi vetëm për klubin e Milanit. Deri në vitin 2021 kuqezinjtë do të jenë nën monitorimin e rreptë të UEFA-s për të mbajtur bilancin brenda parametrave të lejuar. Gjithashtu për dy sezonet e ardhshme në kompeticionet europiane “djalli” nuk do mund të përdorë më shumë se 21 lojtarë, duke pasur kështu një listë të kufizuar.

Shkelja e rregullave të Fair Play financiar mund të kishte pasur pasoja edhe më të renda për Milan, siç do të ishte përjashtimi për një afat kohor 2-vjeçar nga Kupat e Europës. Një dënim i tillë, por në shifra dhe afate më të ulta ka pasur edhe për Interin dhe Romën më herët. Tashmë drejtuesit e Milan do duhet të mendojnë se si të dalin nga kjo situatë, duke manovruar me pak lojtarë dhe me pak të ardhura për të ndërtuar një ekip kompetitiv. Gazids, Leonardo dhe Maldini, tre drejtuesit e Milan do të jenë nën monitorim të rreptë nga UEFA deri në fundin e sezonit 2020-21.

Milan do të ketë mundësinë që ta apelojë këtë vendim të UEFA-s në organet e tjera kompetente edhe pse mediet apenine shkruajnë se pak shanse ka që ky dënim të bjerë poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë