Një fundvit aspak i qetë për Interin. Pas rezultateve negative në javët e fundit dhe eliminimit nga Liga e Kampionëve apo edhe mungesa e rinovimit me Ikardin e Skrinjar, për tifozët zikaltër ka mbërritur një tjetër lajm i keq. Bëhet fjalë për atë që u profilizua si lideri i mesfushës, Raxha Naingolan. Belgu me origjinë indoneziane nuk është i lumtur në Milano dhe ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga Inter.

Mediet ltaliane kanë publikuar një audio përgjim të Naingolan, ku ky i fundit i shprehet një mikut të tij se nuk është i lumtur te Inter dhe dëshiron të largohet. Belgu shprehet se në Milano nuk është i kënaqur dhe do të kërkojë që të rikthehet te Roma.

Lajmi ka pushtuar faqet e para të gazetave italiane dhe në orët e fundit po përfliten disa teori. Besohet se Naingolan ka folur edhe me Françesko Totin, duke i kërkuar atij që t’ia mundësoj rikthimin në klubin verdhekuq. Naingolan ka pasur raporte shumë të mira me Totin kur luanin bashkë, që tani ka një post drejtues te Roma dhe nisur nga ky raport do të kërkojë rikthimin në kryeqytetin italian. Raxha Naingolan kaloi te Inter merkaton e kësaj verë me anë të një formule shkëmbimi. Inter çoi te Roma mbrojtësin Santon dhe talentin Zaniolo dhe disa milionë euro për të marrë në Meaca mesfushorin belg.

Aventura e Naingolan te Inter nuk ka qenë në nivelin e pritshëm, pasi për një numër të madh ndeshjesh ai nuk ka qenë i gatshëm për shkak të dëmtimeve të shumta. Por jo vetëm dëmtime, por edhe disa probleme të tjera, kanë bërë që Naingolan t’i mungojë shkëlqimi në Milano. Vetëm pak ditë më parë ai u gjobit nga klubi, pasi kishte shkuar 1 orë me vonesë në stërvitje.
Nëse do të largohet apo jo nga Inter, kjo është një dilemë për momentin, por një lajm i tillë e ka dhënë efektin e tij negativ në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme për zikaltërit si ajo ndaj Napolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




