Qyteti i Durrësit është tronditur mëngjesin e të shtunës nga një ngjarje e rëndë, ku në një atentat mafioz, ka mbetur i vrarë Edmond Koçi (Çekiçi), 40-vjeç, ish-anëtar i bandës së Durrësit, e udhëhequr nga Lulzim Berisha.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.16, Durrës rreth orës 08:40. Pas ngjarjes makina, e cila dyshohet se u përfshi në atentat, është gjetur e djegur nga policia.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se Çekiçi është vrarë në makinën e tij, ku persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri automatiku.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, bëhet me dije se autorët kanë qenë të veshur me rroba ushtarake.
Ndërkohë, në Sukth është gjetur duke u djegur një mjet tip “Benz”, me targa të vjedhura, që dyshohet se është përdorur nga autorët.
“Mond Çekiçi” konsiderohej nga Policia e Durrësit si person me rrezikshmëri dhe pjesë e një grupi kriminal në Durrës.
Gjithashtu ai rezulton të jetë dënuar disa herë, me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë, duke u dënuar edhe me 2 vite burg për armëmbajtje pa leje.
“Më datë 20.03.2021, rreth orës 08:40, në lagjen nr. 16, Durrës, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri e për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi E. K., rreth 40 vjeç. Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës,”- njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes për të bërë të mundur identifikimin kapjen e autorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.