Tre trajnerë të rinj i shtohen Superiores për 2020-ën. Përveç Adolfo Sormanit te Partizani, dy të tjerët kanë marrë drejtimin e skuadrave që mbyllin tabelën e renditjes, dy skuadra në krizë të thellë që vetëm matematika i mban ende në lojë. Braziliani Marcelo Troisi merr drejtimin e Flamurtarit të vendit të fundit me 6 pikë, kurse Nikolin Çoçlli ulet në stolin e Luftëtarit të vendit të parafundit me 11 pikë.
Flamurtari është në krizë të thellë identiteti këtë sezon, ku problemet financiare sa vjen dhe e përkeqësojnë gjendjen. Që në fillim drejtuesit e klubit kanë hasur vështirësi për emërimin e trajnerit dhe stoli vlonjat ka kaluar sa në një dorë në tjetrën. Për disa javë Flamurtarin e drejtoi Dritan Sadedini, më pas trajneri i portierëve Luan Birçe dhe tani është radha e brazilianit Troisi, i cili ishte pranë marrëveshjes edhe pak kohë më parë, por qëndroi vetëm një ditë në Vlorë.

Ardhja e Troisit në stol shihet si shpëtim edhe për futbollistët që do të luajnë për Flamurtarin në vazhdim të kampionatit. Nga grupi i mëparshëm, sipas të gjitha gjasave, mund të mbeten shumë pak lojtarë, shumica do të largohen, pasi nuk janë paguar. Trajneri Troisi pritet të sjellë lojtarë nga Brazili në Vlorë, ndoshta edhe me kosto të lirë, ndaj dhe shihet si alternativa më e mirë për situatën që po kalon Flamurtari. Më parë Troisi ka drejtuar Kukësin dhe Bylisin në Shqipëri. Gjithsesi, qëndrimi në elitën e futbollit shqiptar për vlonjatët duket një “mision i pamundur”.
E njëjta situatë është edhe te Luftëtari, edhe pse gjirokastritët kanë më shumë pikë, por nga Superiorja bien direkt dy skuadra, kurse vendi i tetë bën ndeshje shtesë me një ekip të Kategorisë së Parë. Nikolin Çoçlli, ish-lojtari i Partizanit dhe Tiranës, shkoi në Gjirokastër fillimisht si drejtor teknik, por më pas u vendos që të jetë ai trajneri i ekipit, pas largimit të grekut Jorgos Marantas. Një situatë shumë e vështirë, sepse edhe nga Luftëtari pritet të ketë largime lojtarësh në këtë moment për të njëjtën problematikë si te Flamurtari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.