Futboll

Trofeu i Champions League kalon përmes “Camp Nou”

Spektakli i gjysmëfinales së parë Totenham-Ajaks, pritet të vijojë mbrëmjen e kësaj të mërkure në “Camp Nou”. Barcelona pret nënkampionët e sezonit të shkuar, Liverpulin. Është konsideruar si një finale e parakohshme, pasi të dyja këto ekipe shikoheshin si favorite për të triumfuar dhe me shumë shanse njëra prej tyre që do të arrijë të shkojnë në finale, do të fitojë edhe trofeun e Ligës së Kampionëve.

Liverpuli vijon të jetë në garë për të dy trofetë e rëndësishëm këtë sezon, Champions League dhe Premier Ligë. Skuadra e Klop është në fazën finale, aty ku ndahet dështimi total dhe suksesi madhështor. Një fitore do t’i jepte shansin e artë për të kaluar në finale, që në një farë mënyrë mund të ishte dhe një ngushëllim për kampionatin që duket i destinuar të shkojë në shtëpinë e Mançester Sitit edhe këtë vit. Nuk ka mungesa të rëndësishme për ekipin anglez që në këtë ndeshje do të gjejë përballë dy ish-yjet e saj në vitet e fundit, Luis Suarez dhe Filip Kutinjo.

Barcelona është ekipi që shikohet si favoriti kryesor për të fituar edicionin e këtij viti të Ligës së Kampionëve. Pas një dominimi tre vjeçar të Realit, katalanasit këtë sezon janë gati për t’i shkuar deri në fund dhe ta marrin në shtëpi “trofeun veshgjatë”. Me Mesin në formë ideale dhe yjet në ngjitje, Kutinjo, Dembele dhe Artur, Barcelona duket e pajisur mirë për të fituar edhe trofeun e dytë të rëndësishëm sezonal. La Liga është hipotekuar dhe Valverde këtë herë kërkon një trofe që nuk e ka fituar asnjëherë dhe këtë të mërkurë me Liverpulin duhet fituar me çdo kusht, që kualifikimi të mos lihet në dorën e një stadiumi shumë të zjarrtë si “Anfiel Road”.

Pritet një ndeshje me ritëm të lartë, ku me shumë gjasë do të ketë gola, nëse rezultati arrin të zhbllokohet në 30 minutat e para. Nuk ka një favorit kryesor për ta fituar këtë ndeshje të parë dhe vështirë të parashikohet se cila mund të fitojë, por edhe barazimi është një rezultat që mund t’i bëjë punë të dyja ekipeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë