Ngjarje

Tritol te agjencia funerale dhe në derën e banesës në Shkodër, policia zbardh ngjarjet: Autorë, motër e vëlla!

Gazeta Si – Motër dhe vëlla dyshohet se qëndrojnë pas vendosjes së një sasie tritoli në dy raste në banesën e biznesmenit Ardian Fierza në Shkodër.

Policia ka ka mundur të zbardhë jo vetëm ngjarjen e 10 nëntorit, por edhe atë të 29 gushtit, ku Fierzës iu vendos tritol në biznesin e tij, një agjenci funerale pranë Spitalit të Shkodrës.

Kështu, sipas policisë, të dyja ngjarjet kanë të njëjtin autor, një 35-vjeçar me iniciale B.P, i cili është shpallur në kërkim.

Ndërsa motra e tij 38-vjeçare, L.P., u vu në pranga si bashkëpunëtore në këto ngjarje.

Po sipas policisë, shkak për vendosjen e tritolit dyshohet të jetë bërë një konflikt pronësie për agjencinë funerale të 52-vjeçarit Fierza.

 Gjatë kontrollit në parukerinë e kësaj të fundit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.

“Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2024, në banesën e shtetasit A. F., ku u vu një sasi lënde plasëse. Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i dy rasteve të vënies së lëndës plasëse në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi B. P., 35 vjeç.  Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen L. P., për marrjen e një shume parash nga shtetasi A. F., me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale”, njofton policia.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B.P., është gjetur 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e policisë, 1 laptop, 1 DVR dhe 11 celularë, ndërsa vijon puna për arrestimin e 35-vjeçarit.

“Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”,  si dhe për shtetasen L. P.(R)., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private’”, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë