Gazeta Si – Në fshatin Radhimë të Vlorës në rrugën që lidh Radhimën me qytetin e Vlorës në lokalin “Odeon 2” në oren 02.30 të mëngjesit është vendosur një sasi tritoli në kollonat qëndrore të lokalit.
Nga shpërthimi i tritolit ka dëme të konsiderueshme.
Burimet paraprake nga policia e Vlorës bëjnë me dije se mund të ketë qenë një sasi prej 500 gr tritol që është vendosur në pjesën kryesore të lokalit në fjalë i cili funksiononte edhe si restorant përgjatë sezonit veror.
Lokali në fjalë është në pronësi të shtetasit Gjik Novruzi, por është dhënë për administrim shtetasit Sadrit Shabani pak muaj më parë. Shabani e ka marrë lokalin për përdorim gjatë sezonit veror.
Shpërthimi ka qenë i konsiderueshëm, disa prej pjesëve të lokalit të cilat janë dëmtuar kanë përfunduar rreth 100 metra më tutje.
Në momentin e shpërthimit në brendësi të lokalit kanë qenë edhe 4 punonjës, persona të cilët bënin survejimin e objektit përgjatë natës. Fatmirësisht këta persona duke qenë në pjesën e pasme të lokalit kanë shpëtuar pa u lënduar nga shpërthimi i fuqishëm.
Shtetasi Sadrit Shabani është me origjinë nga Elbasani dhe ka lidhje me çështje të ndryshme kriminale. Policia e vlorës bën me dije se rreth shkurtit të vitit 2002 ky shtetas me profesion DJ, ka dëshmuar në një seancë gjyqësore e cila është zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, kundër disa prej emrave më të njohur të botës së krimit.
Dyshohet se sasia e tritolit e vendosur mund të ketë lidhje me këtë çështje por akoma nuk është konfirmuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




