Ka ndodhur

Tritol në oborrin e banesës së drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë

Një sasi eksplozivi është gjetur jashtë shtëpisë së Drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë, Alfred Voga. Ngjarja ka ndodhur të dielën, rreth orës 23:25 në fshatin Halil të Fushë Krujës, ku Voga ka konstatuar në ambientin e jashtëm të banesës një pako të vogël dhe menjëherë ka njoftuar policinë e Krujës, e cila ka ardhur menjëherë në vendngjarje bashkë me ekspertët.

Kjo është hera e dytë që i vendoset sasi eksplozivi pranë banesës kësaj familje. Para 10 ditësh ka ndodhur e njëjta gjë, por edhe ajo nuk ka shpërthyer.

Voga, para postit të drejtorit të Sigurimeve Shoqërore në Krujë, ka qenë edhe kreu i ALUIZNI-t. Ai nuk njihet si person problematik, apo të ketë pasur konflikte me njeri.

Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për një konflikt toke, por po merret në konsideratë edhe kërcënimi ndaj Vogës për shkak të detyrës së tij. Policia po punon për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë