Ngjarje

Tritol në hotelin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, bëhet shpërthim i kontrolluar

Gazeta Si – Një sasi eksplozivi u zbulua nga policia, pasi ishte vendosur në mënyrë të sofistikuar, pikërisht në hyrje të ish-hotelit të Vangjush Dakos, ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, në lagjen nr. 1, pranë gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

Burime paraprake bëjnë me dije se lënda plasëse, e dyshuar artizanale, ishte fshehur brenda një vazoje lulesh, një vend perfekt për të kaluar pa u vënë re nga syri i rastësishëm.

Ajo ishte e lidhur me një telefon celular, çka ngre dyshime të forta se eksplozivi ishte i gatshëm për t’u aktivizuar në distancë, në çastin e duhur.

Deri më tani, nuk ka asnjë person të dyshuar, ndërsa taktikisht, vendosja ishte bërë në një objekt jashtë funksionit, por me peshë simbolike, pasi njihet si pronë e ish-kryebashkiakut të Durrësit.

Njësia Antieksploziv e RENEA-s, së bashku me grupin hetimor, ka kryer shpërthimin e kontrolluar të mjetit, ndërsa hetimet janë përqendruar në verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, analizimin e mekanizmit të ndezjes, dhe gjurmimin e numrit të telefonit të përdorur për aktivizim.

“Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve“, njofton Policia e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë