Ngjarje

Tritol në derën e shtëpisë së 62-vjeçarit në Shkodër, flet pronari: Nuk kam asnjë konflikt, kjo është çudia!

Gazeta Si - Një lëndë plasëse ka shpërthyer mbrëmjen e të dielës në derën e jashtme të një banese në fshatin Bushat të Vaut të Dejës.

Sipas policisë, bëhet me dije, se lënda ka plasur në banesën e Filip Dodaj, 62 vjeç. Si pasojë janë krijuar vetëm dëme materiale.

Pronari i banesës, ka deklaruar se nuk ka konflikt me askënd dhe se nuk dyshon tek askush për këtë akt. Filip Dodaj tha se nga kamerat e sigurisë ka parë se tritolin në derën e shtëpisë ia ka vënë një person i maskuar, i cili ishte i vetëm, dhe më pas është larguar në këmbë.

“Nuk di çfarë të them, nga kamerat shihet një person i maskuar, ka ardhur nga veriu dhe ka ikur nga ai drejtim prapë. Ka qenë vetëm në këmbë. Nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Nuk kam asnjë dyshim për asnjë njeri, kjo është çudia... Unë jam punëtor, punoj për një firmë. Jetoj me babanë dhe gruan, fëmijët janë jashtë”, ka deklaruar ai për mediat.

Pas shpërthimit në Bushat menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë vendore të Shkodrës duke nisur hetimet paraprake.

Sipas burimeve paraprake, 62-vjeçari Filip Dodaj ka një magazinë peshku, ndërsa po ashtu jeton e punon mes Shqipërisë dhe Italisë duke u marrë edhe atje me tregti sëbashku me dy djemtë që ndodhen në shtetin italian.

Një pistë mbetet pronësia për shkak të një konflikti të hershëm, por policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi.

Efektivët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në banesën ku shpërtheu tritoli por autori që erdhi dhe u largua në këmbë është i maskuar dhe mbetet e vështirë identifikimi i tij për shkak edhe të errësirës në rrugë në momentin kur ndodhi ngjarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë