Nga Gazeta Si – Një shpërthim me tritol ndodhi në çatinë e një banese në lagjen “Borati” të Krujës, orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.
Mësohet se lënda plasëse është vendosur në banesën e Altin Keqit, pronar i dy serviseve të celularëve, një në Krujë e një në Fushë Krujë.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit, në çatinë e banesës së shtetasit A. K., në lagjen ‘Borati’, Krujë, dyshohet se kanë hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme të vogla materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Keqi nuk njihet si person problematik dhe nuk ka konflikte me njeri, ndërsa paraprakisht dyshohet se sulmi ka ndodhur për shkak të konkurrencës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




