Nga Gazeta Si- Një sasi tritoli ka shpërthyer në një lokal në Lungomare në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Lënda shpërthyese është vendosur në pjesën e jashtme të lokalit. Nga të dhënat paraprake mësohet se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi bar-restoranti ku u vendos sasia e lëndës plasëse (tritol) ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili është ekzekutuar në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij me breshëri plumbash.
Lokali është në emër të nënës Resmie Birçaj.
Në verë të vitit 2021, Bledar Birçaj kishte pak javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte. Atentati ndaj tij ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.
40-vjeçari ishte pronar i lokalit në qytetin e Vlorës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.