Ka ndodhur

Foto/ Tritol dyqanit kozmetik në Tiranë, shkak dyshohet konkurrenca

Gazeta Si – Një sasi tritoli ka shpërthyer në një dyqan kozmetik në Tiranë në pronësi të një gruaje. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në rrugën “Sami Frashëri” pranë sheshit “Willson”, te kryqëzimi i zonës së njohur te Tirana e Re.

Policia thotë se “në datë 19.10.2022, rreth orës 00:15, në rrugën “Sami Frashëri”, në dyqanin kozmetik të shtetases E. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse”.

Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme të shumta brenda dhe jashtë një dyqani që tregtonte produkte kozmetike. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të biznesit.

Nga shpërthimi i fuqishëm ka pasur dëmtime edhe në katin e dytë të pallatit të banuar, por edhe në biznesin ngjitur.

Policia dyshon se lënda plasëse është vënë nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një makinë “Volkswagen”. Sasia e tritolit ka qenë rreth 50 gramë.

Pronarja e dyqanit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me njeri. Ajo vinte nga Laçi dhe rreth katër muaj e kishte marrë ambientin me qira për të ushtruar aktivitetin e biznesit.

Paraprakisht hetuesit dyshojnë që sasia e tritolit të jetë vendosur për shkak të konkurrencës, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë e cila është e populluar. Lart dyqanit ku ndodhi shpërthimi ka njësi banimi, ndërsa zhurma e shpërthimit është dëgjuar në zona të ndryshme të kryeqytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë