Ka ndodhur

Tritol bizneseve të Noizyt, dy ditë më parë u përplas me grushta me ‘rivalin’ reper

Një shpërthim i fuqishme me lëndë plasëse të dyshuar tritol është regjistruar gjatë orëve të natës në qytetin e Durrësit.

Shpërthimi dyshohet se ka pasur në shënjestër dy biznese të familjes Rajku, lokalin “Rigels Shisha Lounge”, në pronësi të Rigels Rajkut, reperi i njohur me nofkën Noizy dhe dyqani i rrobave “Illyrian” në pronësi të babait të tij, Bashkim Rajku. Të dy bizneset ndodhen në të njëjtën godinë.

Fatmirësisht nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale, ndërsa policia ka nisur hetimet duke marrë dëshmitë e pronarëve të dy objekteve dhe të banorëve të zonës në përpjekje për të zbuluar autorët.

Njëra pistë që po hetohet është ajo e shantazhit dhe kërcënimit me të dyshuar shtetasin Kleviol Ahmeti, gjithashtu një reper i njohur me emrin Cllevio Serbiano që dy ditë më parë është konfliktuar fizikisht me Noizyn.

Majtas Rigels Rajku (Noizy) dhe djathtas Kleviol Ahmeti (Cllevio)

Sherri është filmuar nga të pranishmit dhe kamerat e sigurisë dhe shkaku i nisjes së tij kanë qenë rrjetet sociale, ku Ahmeti dhe Noizy janë përplasur verbalisht duke ofenduar njëri-tjetrin.

Policia ka shoqëruar Rigels dhe Bashkim Rajkun për sherrin në fjalë, ndërsa nën pranga pas sherrit ka përfunduar edhe Kleviol Ahmeti, që rezultoi se kishte shkelur masën e sigurisë arrest shtëpie, të vendosur nga gjykata më herët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë