Ka ndodhur

Video / Tritol banesës së Shefit të Krimeve në Shkodër, në gusht 2019 iu plagos i vëllai me thikë

Gazeta Si - Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer orët e para të mëngjesit të së premtes përpara banesës së shefit të Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen Dobraç, ku për pasojë banesa e zyrtarit të policisë ka pësuar dëme të lehta të mureve të banesës, si dhe automjeteve të parkuara në oborr.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, ku 49-vjeçari jetonte së bashku me dy vëllezërit e tij në të njëjtën banesë dhe ishin në total në ato momente 17 anëtarë. Edhe 2 vëllezërit e tij ishin efektivë policie. 

Dyshimet janë që Pëllumb Shpati ishte shënjestra e sulmi me tritol, për të cilin nuk ka ende të dhëna për shkaqet dhe autorët.

Vetë shefi i Krimeve, Pëllumb Shpati tha se nuk ka konflikt me njeri dhe se nuk kishte një ide se kush mund ta kishte vendosur lëndën plasëse.

Edhe babai i tij deklaroi se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa dyshimet e tij janë se ngjarja ka lidhje me punën e të birit.

Por ndërsa hetimet për ngjarjen që tronditi qytetin në orët e para të mëngjesit vijojnë, vlen të theksohet se vëllai i efektivit të Policisë, Vat Shpati, rreth katër vite më parë ka qenë i përfshirë në një ngjarje në lagjen “Mark Lula”.

Ai mbeti i plagosur me thikë në 12 gusht 2019 nga dy vëllezërit Aleks dhe Luigj Martini, banues në Shkodër, të cilët pas identifikimit u kapën mëngjesin e 13 gushtit nga policia.

38-vjeçari në atë kohë, Vat Shpati, u fut menjëherë në sallën e operacionit, duke i mbijetuar plagosjes me thikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë