Gazeta Si – Me një tripletë të sulmuesit veteran Besart Ibraimi, Struga ka mundur 3-1 Hesperange të Luksemburgut në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Një fitore kjo që e afron shumë skuadrën e trajnerit Shpëtim Duro me ‘Play-off’-in e këtij kompeticioni. Mjafton që në kthim të mos humbasë me më shumë se 1 gol diferencë.

Ibraimi, një gjahtar i vërtetë goli, e kaloi Strugën në avantazh që në fillim, duke shfrytëzuar një gafë të portierit kundërshtar. Ish-sulmuesi i Shkëndijës realizoi golin e dytë që në pjesën e parë me penallti dhe në fund kompletoi ndeshjen e tij perfekte me golin e 3-të, të shënuar po nga pika e bardhë.
Në fillim të pjesës së dytë ekipi nga Luksmburgu kishte shkurtuar diferencën në 2-1. Kampionët në fuqi të Maqedonisë së Veriut e kanë rrugën e kualifikimit të hapur, por duhet të administrojnë sa më mirë sfidën e kthimit.
Mbrëmja ka nisur mbarë kështu për skuadrat shqiptare në Europë. Tani është radha e Partizanit, që ndeshet me Valmiera të Letonisë dhe më pas e Ballkanit që luan ndaj Linkoln Red të Gjibraltarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




