Gazeta Si – “Vajza ime 2 vjeç ka 3 ditë me temperaturë të lartë që shkon deri në 39.5. Nuk kam parë asnjëherë një situatë të tillë, ku me gjithë anti inflamatorët që i kam dhënë për uljen e temperaturës, ajo vijon të mos zbresë. Është hera e dytë që ma zë gripi në një hark kohor të shkurtër”.
Kështu thotë Suada, mjekja pediatre në një nga qendrat shëndetësore në Tiranë për fëmijën e saj.
Si rasti i vogëlushes, prej fillimit të muajit janar, ka me qindra të vegjël në vendin tonë që po shfaqin simptomat e një gripi të rëndë, me temperaturë të lartë dhe bronkopneumoni.
Të pyetur nga Gazetasi.al, mjekët specialistë thonë se kjo situatë u rëndua në fillim të janarit.
“Nuk dimë ta ndajmë në është grip, Covid apo virusi sincicial, RSV. Mjekimi që kemi dhënë janë antibiotikë gjilpëra, për rastet kur kanë shfaqur bronkopneumoni. Por edhe të rriturit në këtë periudhë shfaqin pothuajse të njëjtat simptoma, temperaturë e lartë dhe prekje të mushkërisë”.
Triplendemia duket se ka gjetur të papërgatitur sistemin tonë shëndetësor, ndryshe nga rajoni që e ka paralajmëruar këtë situatë që në fillim të muajit dhjetor.
Ndryshe nga gripi, i cili në natyrën e tij epidemiologjike zgjat jo më shumë se 5 ditë, prekja nga 3 viruset, Covid, grip dhe virusi RSV, ka zgjatur kohën e sëmundshmërisë, kryesisht për pacientët e vegjël.
Në raport me Shqipërinë, vendi ynë fqinj Italia u prek nga triplendemia që në mesin e muajit dhjetor 2022.
Mjekët ekspertë thonë se të jesh i infektuar nga Covid, grip dhe Rsv, nuk është më i parëndësishëm dhe kjo duhet të jetë objekt i vëmendjes.
Por në Shqipëri, infektimi në masë i fëmijëve erdhi dhe për shkak të mungesës së vaksinimit të tyre kundër SARS-CoV-2 dhe kundër gripit, megjithëse vaksina në rastin e fundit është e disponueshme (mund të bëhet nga 6 muajsh) dhe rekomandohet veçanërisht për të vegjlit sepse në shkolla dhe kopshte është e lehtë për t’u infektuar.
Një nga pasojat e RSV është bronkiolitit që po prek veçanërisht fëmijët nën 1 vjeç.
“Me qarkullimin e njëkohshëm të viruseve të tjera si gripi, adenoviruset dhe Covid, situata është vërtet e vështirë në disa raste, me vizita rekord në urgjencë, mbingarkesë në disa spitale dhe zënie maksimale të shtretërve”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Covid, s’ka testime PCR por vetëm rapid test
Me triplendeminë që ka përfshirë krejt rajonin europian, testimet për Covid janë të papërfillshme, për të mos thënë zero.
Në qendrat shëndetësore vijojnë të jenë të hapura pikat e testimit të shpejtë për Covid, ndërkohë që risku më i madh për shëndetin sot mbetet gripi dhe virusi sincicial.
Instituti i Shëndetit Publik u shpreh një ditë më parë se ka izoluar vetëm një rast me RSV, gjë që duket pak e çuditshme me numrin e lartë të fëmijëve të shtruar në spital dhe të paraqitur në urgjencat spitalore apo qendrat shëndetësore.
Por deri në fund të shkurtit, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë një situatë të njëjtë epidemiologjike, me 3 viruset që do të qëndrojnë në ajër, pak më rrallë qarkullimi i Covid, ndërsa dy viruset e gripit AH1N1 dhe virusi i tipit B bashkë me RSV duket se do të jenë ankthi i të gjithëve dhe për pak kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




