Shendet

Tripledemia në prag / I ftohti shton rriskun e infektimit nga 3 viruse, më të prekur fëmijët dhe të moshuarit

Nga Gazeta Si – Me uljen e temperaturave, pritet që të shtohet intensiteti i qarkullimit të 3 viruseve në ajër, përveç Covid-19 që vijon të jetë i pranishëm në vitin e 3 të shfaqjes së tij.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se bëhet fjalë për qarkullim të viruseve të reja që së me ardhjen e stinës së dimrit do të bëhen aktive duke gjetur terren pjellor tek fëmijët e të moshuarit.

Ekspertët flasin për një bashkëjetesë të tre viruseve njëkohësisht, Covid, gripi dhe virusi sincicial i frymëmarrjes.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ky është skenari më i ri i gripit që pritet të përfshijë Evropën gjatë dimrit.

Sipas tyre, Covid, gripi dhe RSV (virusi sincicial i frymëmarrjes që po godet fort veçanërisht në SHBA) do të jenë “terrori” i dimrit në afërsi.

Qarkullimi i tyre njëkohësisht pritet të shtojë numrin e të prekurve e për pasojë dhe kostot sociale dhe në sistemin publik shëndetësor.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se alarmi vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe vjeshta po krijon skenarin e duhur për përhapjen e këtyre lloj viruseve.

Agjencia Evropiane e Barnave, EMA, ka ngritur tashmë alarmin e infektimit.

Virologët thonë se virusi i gripit do të shënojë pikun  që nga muaji dhjetor deri në shkurt.

Situata në Shqipëri

Virologia e Institutit të Shëndetit Publik, ISHP,  Iris Hasibra, thotë se në Shqipëri po qarkullojnë virozat e stinës, ndërsa rastet me virusin e gripit tip A janë shumë të pakta.

Ndërsa sa i përket virusit respirator sincicial, (RSV), Hasibra thotë se ky virus është i zakonshëm dhe qarkullon shpesh në vendin tonë.

“Ky virus është i zakonshëm dhe qarkullon shpesh në vendin tonë.  Virusi sincicial është shkaktar i bronkiolitit apo sëmundjeve bronkiale tek fëmijët dhe në Europë shkakton rreth dhjetëra mijëra raste në vit, si dhe fatkeqësisht edhe vdekje”, thotë virologia Irisi Hasibra.

Sipas saj, virusi sincicial respirator (sin-SISH-uhl), ose RSV, është një virus i zakonshëm i frymëmarrjes që zakonisht shkakton simptoma të buta, të ngjashme me të ftohtin.

 Virologët thonë se shumica e njerëzve shërohen brenda një ose dy javësh, por RSV mund të jetë serioz, veçanërisht për foshnjat dhe të rriturit e moshuar.

 RSV është shkaku më i zakonshëm i bronkiolitit (inflamacion i rrugëve të vogla të frymëmarrjes në mushkëri) dhe pneumonisë (infeksion i mushkërive) te fëmijët më të vegjël se 1 vjeç në Shtetet e Bashkuara.

Sa i takon  COVID-19 sipas informacionit më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë raportohet të jenë 18 të infektuar në 24-orët e fundit ndërsa në të gjithë vendin janë 183 persona aktivë me koronavirus.

Në të gjithë rajonin, gjatë dy muajve të vjeshtës shtator-tetor, situata e covid ka qenë e  stabilizuar, por ekspertët thonë se tani “po hyjmë në një periudhë rreziku, me variante të reja të mundshme dhe duke qenë se masat parandaluese në shkolla janë hequr, duhet të presim një përhapje të mëtejshme të SARS-CoV. -2.

Ndërkohë, OBSH bën thirrje që fëmijët të vaksinohen kundër të dy viruseve, gripit dhe covid.

“Qarkullimi i mundshëm i Covid-it dhe gripit sezonal do t’i vendosë njerëzit vulnerabël në rrezik më të madh të sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, me gjasa për presion më të madh në spitale. Ne duhet të shmangim barrën e këtij bashkëqarkullimi në sistemet tona shëndetësore së bashku me masat e shëndetit publik. Vaksinimi mbetet një nga mjetet tona më efektive kundër të dy viruseve”, thonë ekspertët e OBSH.

Por në Shqipëri vaksinimi kundër gripit dhe covid nuk po ecën me ritme të mira dhe ekspertët e shëndetit publik shprehen të shqetësuar sidomos për fëmijët.

“Në shkolla dhe kopshte është e lehtë të infektohesh dhe nuk ka masa parandaluese, pra vaksina, për ta luftuar atë”, shpjegojnë virologët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë