Nga Gazeta Si – Si sot tri vite më parë, ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare Nexhmije Pagarusha e njohur ndryshe si mbretëresha e muzikës shqiptare.
Nexhmije Pagarusha lindi në Pagarushë, më 7 maj 1933 dhe vdiq më 7 shkurt 2020, për t’i shënuar sot plot 3 vite pa figurën më të dashur e zërin më të veçantë për shqiptarët.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, saqë është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.
Ajo përfundoi shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës.
Kënga më e njohur e saj është “Baresha”, të cilën e ka kompozuar burri i saj Rexho Mulliqi.
Në vitet e rinisë Nexhmije Pagarusha ka kënduar vepra të përkthyera nga Bethoven, Verdit e shumë emra të mëdhenj. Gjatë gjithë karrierës së saj ka kënduar mbi 150 këngë.
E njohur si bilbili i këngës shqipe është krahasuar me yjet më të mëdha botërore, veçanërisht me zërin e rrallë francez Zhyliet Greko.
Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer.
Pagarusha mbajti koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Irazel, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë e Shqipëri.
Ikonën e muzikës shqiptare, në 2018-n, e pati dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump.
Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.
Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata RessEgnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti i asaj kohe, Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.