Kombetarja

Tri lëvizje për goditjen e madhe ndaj Anglisë, Reja ndryshon të tre repartet

Janë disa ndeshje që mund të hyjnë në histori, që mund të mbeten në memorien e të gjithë futbolldashësve, pavarësisht rezultatit. E tillë mund të jetë edhe kjo e sotmja me Anglinë, që luhet në “Air Albania Stadium”, në orën 18:00, e vlefshme për kualifikueset e “Katar 2022”. Kuqezinjtë, pas fitores në Andorra, janë gati për të tentuar goditjen e madhe, për të marrë rezultat pozitiv ndaj ekipit favorit për kreun e Grupit I.

Trajneri Reja dhe të gjithë futbollistët e dinë mirë se çfarë do të thotë të marrësh pikë ndaj një skuadre si Anglia, sa vlerë ka për objektivin dhe se çfarë morali ka grupi për ndeshjet e tjera. “Mëkati” më i madh është se ndeshja luhet pa tifozë, ndërsa presioni, siç pohoi në konferencë shtypi edhe kapiteni Berisha, është mbi kundërshtarin.

Kombëtarja gjatë një grumbullimi. Gazeta Si, 28 mars 2021

Kuqezinjtë pritet të zbresin në fushë me 3 ndryshime në krahasim me ndeshjen me Andorrën. I pari është i detyruar, pasi Marasha Kumbulla pësoi një dëmtim në gju dhe stafi i Kombëtares nuk deshi të rrezikojë me lojtarin e Romës, që sot në mbrëmje do të jetë një tifoz më shumë. Sigurisht, është një mungesë e madhe. Vendin e tij në mbrojtje do ta zërë Frederik Veseli. Gjimshiti dhe Ismajli janë dy lojtarët e tjerë të repartit të prapavijës.

Laçi pritet titullar sot ndaj Anglisë. Gazeta Si, 28 mars 2021

Ndryshimi i dytë pritet në mesfushë, ku vendin e Memushajt, me shumë gjasa, do ta zërë Qazim Laçi. Ky i fundit është një futbollist më i fortë fizikisht dhe do të ndihmojë skuadrën për thyerjen e aksioneve të kundërshtarit. Memushaj, tashmë një veteran, nuk mund t’i përballojë 2 ndeshje radhazi titullar dhe sot mund të jetë i vlefshëm nga stoli.
Bare dhe Gjasula do të plotësojnë treshen e qendrës së mesfushës, kurse Hysaj dhe Lenjani do të jenë sërish në krahë, ashtu si në Andorra. Janë të dy lojtarë me përvojë dhe ndihmojnë si në lojën mbrojtëse, ashtu edhe në sulm.

Sulmuesi Broja në stërvitje me kuqezinjtë. Gazeta Si, 28 mars 2021

Edhe sulmi pritet të jetë ndryshe sot, ku përkrah Cikalleshit do të jetë Armando Broja. Ato pak minuta që luajti në Andorra duket se kanë mjaftuar për ta bindur trajnerin Reja se sulmuesi i Viteshes meriton një vend titullari ndaj Anglisë, duke zënë vendin e Manajt. Uzuni edhe këtë herë do ta nisë nga stoli, ndërkohë që i gatshëm është edhe Kamberi.

Formacioni i mundshëm ndaj Anglisë

Berisha

Ismajli Gjimshiti Veseli

Hysaj Bare Gjasula Laçi Lenjani

Broja Cikalleshi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë