Gazeta Si – Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, në Katar 2022 do të gjykojnë tri arbitre femta. Ato janë francezja Frapart, ruandezja Mukansanga dhe japonezja Jamashita.
Katar 2022 duket se do të jetë Botërori i herëve të para. Edhe nga pikëpamja e arbitrimit. Stefani Frapart, Salima Mukansanga dhe Joshimi Jamashita do të jenë tri arbitre femra të këtij kompeticioni.

Përveç tyre janë edhe tri asistente femra, Neuza Bak nga Brazili, Karen Diaz Medina nga Meksika dhe Kathrin Nesbit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha bashkë përfaqësojnë ndryshimin e madh në një Botëror, ndryshimin femëror.
Pierluixhi Kolina, shefi i komitetit të arbitrave të FIFA-s, e ka komentuar me shumë kënaqësi këtë ndryshim: “Jemi shumë të lumtur. E gjitha kjo mbyll një proces të gjatë, të nisur vite më parë. Ka një zhvillim të arbitrimit te femrat.
Mund të themi me bindje se është niveli profesional që bën diferencën, jo gjinia. Shpresoj që në të ardhmen caktimi i arbitreve femra në futbollin e meshkujve të konsiderohet diçka normale. Jo sensacionale.
Këto tri arbitre femra e meritojnë plotësisht të jenë në Botëror. Ato kanë bërë paraqitje të një niveli të lartë në mënyrë konstante. Ky është faktori thelbësor për ne”, – ka thënë Kolina.

Në Botërorin e Katarit do të jenë në total 36 arbitra kryesorë, 69 asistentë dhe 24 arbitra VAR-i. Ata janë zgjedhur nga 6 konfederatat. Janë programuar edhe tre seminarë verorë përgatitjesh në Asuncion, Madrid dhe Doha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




