Ekonomi

Trepça: Privatizimi i pjesshëm nuk pranohet nga punëtorët

Privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik Trepça, mendohet si forma më e mirë e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrjeje prej qeverisë në ikje të Kosovës.

Mediet kosovare raportojnë se një ide e tillë, në fakt, po kundërshtohet nga përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët në të njëjtën kohë janë edhe aksionarë në këtë ndërmarrje.

Trepça është e regjistruar si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i ka Qeveria e Kosovës, ndërsa 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Shyqyri Sadiku, anëtar i Bordit mbikëqyrës të Trepçës, që përfaqëson dhe mbron të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, është shprehur se privatizimi i pjesshëm i Trepçës është i papranueshëm për punëtorët.

“Privatizimi nuk është zgjidhja më e mirë. Ne duhet t’i shterim të gjitha mundësitë tona të brendshme. Trepça ka nevojë për investime dhe qeveria e ka për detyrë të bëjë investime kapitale. Unë besoj që me këta njerëz që kemi ne, nuk kemi nevojë për momentin të thërrasim investitorë të huaj që të hyjnë në Trepçë. Mund të dalim nga kjo situatë ne (punëtorët) së bashku me Qeverinë. Qeveria duhet të garantojë marrjen e kredive të buta nga mekanizmat ndërkombëtarë financiar dhe ta zhvillojmë Trepçën”, ka thënë Sadiku.

Privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik “Trepça” ka qenë si ide fillestare e ministrit në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka. Ai pati thënë më parë se kjo do të ishte mënyra më e mirë për rimëkëmbjen e Trepçës.

“Ideja është që resurset natyrore të mbesin pronë shtetërore, por pjesa e menaxhimit, pjesa e operimit duhet të privatizohet në mënyrë që të jetë më efikase, të tërheqim investime të huaja, t’i përfshijmë në ‘Trepçë’ dhe të rritet prodhimi dhe përpunimi i brendshëm dhe kjo jo vetëm se do të ndihmonte punëtorët në ‘Trepçë’, por do t’i ndihmonte edhe eksporteve dhe tërë shtetit të Kosovës duke e vendosur në hartën botërore të minerareve dhe përpunimit të tyre”, do të thoshte Lluka.

Kombinati metalurgjik “Trepça” prej kohësh po përballet me krizë financiare dhe nivel të ulët të prodhimit.

Kryetari i Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, Ardian Syla, është shprehur se pozicionohet në qasjen që investimet në Trepçë të bëhen nga Qeveria e Kosovës, por nëse këto mundësi nuk ekzistojnë, atëherë sipas tij, edhe partneriteti publiko-privat apo investimet direkte do të ishin zgjidhje për situatën momentale të krijuar në Trepçë.

“Ligji për Trepçën parasheh forma tjera të përfshirjes së kapitalit privat në Trepçë. Është forma e partneritetit publiko-privat, janë investimet direkte të huaja, emetimi dhe shitja e aksioneve, mirëpo nuk ka privatizim në kuptim të plotë të fjalës. Janë forma tjera që parashihen me Ligjin për Trepçën e sigurisht edhe në Ligjin për Investime Strategjike, por kjo është një çështje që i takon aksionarit kryesor që është Qeveria e Kosovës”, tha Syla.

Ekspertë të tjerë propozojnë investimet e huaja.

Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Kurse, 17 objekte biznesi gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 asete gjenden në Serbi, 3 në Bosnje e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë