Ne rrjet

Treni (me 60 km/h) i Kim Jong Un, i trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij

Diktatori i Koresë së Veriut e përdori atë për të mbërritur në Pekin: është një mjet transporti shumë luksoz, i njëjti që e përdornin tashmë gjyshi dhe babai i tij

Gazeta Si – Këtë të martë, 2 shtator, diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbërriti në Pekin të Kinës, pas një udhëtimi të gjatë me tren, për të marrë pjesë në paradën masive ushtarake të 3 shtatorit të organizuar nga qeveria kineze për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit japonez të vendit.

Kjo është vizita e parë e Kim në Kinë që nga viti 2019. Përveç presidentit kinez Xi Jinping, në paradë do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin: kjo do të jetë një mundësi për udhëheqësit e Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut për të demonstruar publikisht aleancën e tyre politike dhe ushtarake.

Edhe pse udhëtimi me aeroplan do të kishte qenë më i shpejtë, Kim Jong Un preferoi të udhëtonte me trenin e tij personal: një zgjedhje mjaft standarde për familjen Kim, e cila ka sunduar vendin në mënyrë autoritare që nga viti 1948 dhe prej kohësh e ka përdorur trenin si një mjet propagande dhe një shfaqje pushteti.

Sipas asaj që një burim i njohur me çështjen i tha agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, “Yonhap”, udhëtimi zgjati rreth 20 orë dhe treni nuk e kaloi kurrë shpejtësinë prej 60 kilometrash në orë.

Kim Jong Un pi një cigare para se të hipte në trenin që do ta çojë në Kinë. Phenian, Koreja e Veriut, 1 shtator 2025

Treni me të cilin udhëton Kim Jong Un është, në fakt, pak a shumë i njëjti me atë që përdorën babai i tij, Kim Jong Il dhe gjyshi i tij, Kim Il Sung.

Asnjë prej të treve nuk ka fluturuar ndonjëherë me “Air Koryo” për udhëtimet e tyre jashtë vendit (në vitin 2018, Kim Jong Un përdori një aeroplan të “Air China” për të arritur në Singapor, ku u takua me presidentin e SHBA-ve Donald Trump). Sipas një vlerësimi të fundit të agjencisë së lajmeve “Reuters”, ai përbëhet nga 21 vagona.

Treni në fjalë ka vlerë të konsiderueshme simbolike, aq sa një relike e tij ndodhet brenda mauzoleut, ku janë varrosur dy udhëheqësit e mëparshëm të Koresë së Veriut.

Sipas Kim Youngsoo, drejtor i Institutit të Kërkimeve të Koresë së Veriut në Seul, udhëtimi me tren jo vetëm që është më i sigurt, por “i lejon Kim të duket si një figurë misterioze, por edhe e rëndësishme”.

Treni i përdorur nga Kim, në fakt, nuk është një mjet i zakonshëm. Ai përbëhet nga dhjetëra vagona të blinduar ngjyrë ulliri në të gjelbër, me çati të bardha dhe dritare të errëta.

Është plotësisht i papërshkueshëm nga plumbat dhe ka një strukturë që duhet ta bëjë rezistent edhe nëse sulmohet nga një bombë.

Përveçse është plot me truproja, treni mban edhe makinën personale të Kim dhe një helikopter për përdorim emergjent.

Pikërisht këto masa sigurie e rëndojnë trenin, duke e bërë atë jashtëzakonisht të ngadaltë, si të gjithë trenat e Koresë së Veriut.

Pavarësisht se është mjeti kryesor i transportit të vendit, ai është i vjetër dhe joefikas. Sipas “Washington Post”, treni i Kim arrin një shpejtësi maksimale prej 90 kilometrash në orë.

Plani i brendshëm i trenit është i panjohur, por një artikull i botuar në vitin 2009 nga gazeta e Koresë së Jugut, “Chosun”, bazuar në një raport të inteligjencës, disa dëshmi të të huajve të ftuar në bord gjatë viteve dhe disa pamje nga media shtetërore e Koresë së Veriut, e përshkruan atë si një vagon jashtëzakonisht luksoz.

Një video e bërë gjatë një takimi me tren midis Kim Jong Un dhe një zyrtari të lartë kinez gjatë vizitës së tij të parë shtetërore në Kinë në vitin 2018, tregon një vagon plot me kolltuqe rozë.

Video të tjera tregojnë një sallë konferencash, një sallë mbledhjesh me një tavolinë të gjatë të bardhë dhe një vagon-restorant prej druri të errët. Duket gjithashtu se një vagon i tërë i është kushtuar karaokes.

Zyrtari rus Konstantin Pulikovsky, i cili udhëtoi në tren me babanë e Kim Jong Un në vitin 2011, shkroi se “mund të porosisje çdo pjatë nga kuzhina ruse, kineze, koreane, japoneze dhe franceze”, dhe se kjo i kujtoi udhëtimin e tij me “Orient Express”.

Sipas artikullit të vitit 2009, gjatë mbretërimit të Kim Jong Il, treni shoqërohej nga helikopterë dhe aeroplanë ushtarakë dhe paraprihej nga një tren tjetër që transportonte 100 oficerë, detyra e të cilëve ishte të kontrollonin stacionet – të paktën njëzet prej të cilave ishin ndërtuar ekskluzivisht për përdorim personal të udhëheqësit – për bomba dhe të testonin sigurinë e shinave.

Raporti gjithashtu thotë se treni përmbante edhe një vagon për emergjenca mjekësore: Kim Jong Il vdiq nga një atak në zemër në vitin 2011, ndërsa udhëtonte me tren nëpër Korenë e Veriut.

Në këtë video, të xhiruar në vitin 2019 gjatë mbërritjes së trenit në Rusi për vizitën e fundit të Kim Jong Un te Putin, stafi i diktatorit të Koresë së Veriut tregohet duke pastruar vagonët ende në lëvizje para se të bëhen fotot zyrtare.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë