Financa Personale

Treguesi i besimit të bizneseve arrin nivelin më të lartë në 4 vite. Konsumatorët janë ende skeptikë

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike publikuar nga Banka e Shqipërisë, gjatë muajit korrik u rrit me 4.1 pikë nga muaji qershor duke arritur nivelin më të lartë të 4 viteve të fundit, 110.4.

Rritja në këto nivele u ndikua nga rritja e besimit të bizneseve.  Besimi i konsumatorëve qëndroi në të njëjtat nivele të muajit qershor.

Treguesi i besimit në  industri u rrit me 4.3% nga muaji paraardhës, shkak i niveleve pozitive të prodhimit aktual. Bizneset në këtë sektor kanë raportuar se kërkesa për produkte ishte pak më e ulër se sa muaji qershor, por parashikojnë rritjet e kërkesës nga eksportet. Gjithashtu, presin rritje të prodhimit në total dhe nivelit të punësimit.

Në ndërtim treguesi i besimit u rrit me  5.8% gjatë korrikut, krahasuar me qershorin, duke arritur në nivelin më të mirë të 5 viteve të fundit. Rritja e TBT-së u ndikua nga kërkesa e lartë dhe niveli aktual i prodhimit të bizneseve në këtë sektor.

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritjen më të lartë ndër sektorët e tjerë dhe rritjen më të lartë të vetën që nga 2018-a. Nga qershori në korrik, TBSH-ja u rrit me 8.6% ndikuar nga ecuria pozitive e bizneseve dhe rritja e kërkesës.

Rritja prej 4.8% e Treguesit të besimit në  tregti u ndikua nga vlerësimi pozitiv i ecurisë së biznesit nga vetë bizneset. Parashikimet për punësim nga bizneset e shërbimit të tregtisë raportohen në rritje, ndonëse të ulëta.

I vetmi tregues pa ndryshim në korrik ishte ai i besimit të konsumatorëve që vazhdoi të pozicionohej nën niveli 0, pas rritjes gjatë tre muajve paraardhës. Vlerësimi i konsumatorëve për blerjet në shuma të mëdha ishin në tendencë rritje. Ndërsa pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare ranë lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë