Politike

Treguan “forcën” për Kodin, por opozita në Kuvend rriti peshën e Ramës me 42%

“Një mësim i vjetër shqiptar na kujton gjithmonë se asnjëherë ‘nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”, thuhet në letrën publike të një pjese të deputetëve të opozitës parlamentare drejtuar Ambasadës Amerikane dhe zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë.

Deputetët kërkojnë përfshirjen në tryezën e negociatave për reformën zgjedhore, në të kundërt, kërcënojnë me mosvotimin e çdo pakti që arrihet pa pjesëmarrjen e tyre.

Por sa seriozisht duhet marrë kërkesa e tyre?

Mjafton të shikojmë një raport të fundit të Insitutit të Studimeve Politike për qëndrimet e deritashme të kësaj opozite për të kuptuar se sa "të vështirë” do ta ketë Rama për të kaluar ndryshimet në Kod (me 84 vota).

“Të dhënat e tabelës për periudhën e Covid-19 të përllogaritura nga ekipi monitorues i ISP tregojnë se megjithëse Kuvendi ka pasur disa vendimmarrje të kontestueshme politike, mazhoranca ka arritur të ketë në mbështetje të saj nga 80%-94% të votave të të gjithë parlamentit. Në total ajo ka ruajtur mesatarisht 88% të votave të Kuvendit, pra 38% më shumë sesa i duhen për miratimin e ligjeve (50%+1) dhe 28% të 140 deputetëve më shumë sesa numri i votave që i duhen për të miratuar ligje organike, me shumicë të cilësuar...”, thuhet në raportin e ISP-së.

Krahasuar me 52% të vendeve në parlament që PS kishte pas zgjedhjeve parlamentare 2017, ISP verën se, “aktualisht ajo ka një rritje të frikshme të raporteve në Kuvend me rreth 28% deri në 42% më shumë sesa verdikti i qytetarëve në zgjedhjet parlamentare”.

“Krahasuar me numrin real prej 122 deputetësh ku PS duhej të kishte 61% të parlamentit, de facto ajo vijon të ketë votë pro 20% deri në 33% më shumë”.

Në këtë mënyrë, sipas ISP, dorëzimi kolektiv i mandateve nga opozita, nuk u shoqërua, siç shpresohej prej tyre, me krizë politike dhe krizë përfaqësimi, por krijoi një raport të ri eksperimental në parlament, ku mazhoranca vijon të rritet pa bërë zgjedhje dhe opozita parlamentare vijon të jetë edhe më simbolike.   

“Sic shihet dhe siç konfirmohet nga analiza tërësore e sjelljes politike parlamentare, mazhoranca kalon lehtësisht çdo nismë ligjore dhe se oponenca parlamentare është minimale. Raporte të tilla tregojnë natyrën disproporcionale të përfaqësimit politik aktual në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe njësimin e mazhorancës me qeverinë dhe për pasojë, lehtësinë e kësaj të fundit për të imponuar dhe votuar çdo akt parlamentar që ajo ka në axhendë ose që dëshiron të kalojë”, thuhet në raport.

Gjatë muajve të fundit, vëren ISP, asnjë akt i qeverisë nuk është kthyer për rivlerësim dhe niveli i kritikave të deputetëve vijon të jetë në rënie të dukshme.

 “ISP vlerëson se kurba e rritjes galopante të mbështetjes për mazhorancën parlamentare ndonëse është legjitime nga pikëpamja ligjore e kushtetuese, shpreh qartësisht një deformim serioz nga koncepti i përfaqësimit politik dhe demokracisë funksionale...”

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë