“Nëse del i blen fishekzjarret pak orë para ndërrimit të viteve, do t’i gjesh me çmim shumë të ulët”,-tregon për Gazetasi.al Eni, që shet kapsolla dhe mjete piroteknike ilegalisht.
Ai ka përshtatur hapësirën e shtëpisë së tij në qytetin e Durrësit për të mbajtur fishekzjarret, pasi pas urdhërit për ndalimin e tregtimit të këtyre produkteve dhe kontrollove policore sidomos prag festave është e vështirë t’i mbajë në dyqanin e tij, ndonëse masat ligjore nuk e kanë ndaluar tregun e tyre.
Sipas Enit, e vetmja gjë që ka sjellë ndalimi i tyre është rritja e tregut informal dhe abuzimi me çmimet, për të cilën ai thotë “ata që i tregtojnë i vendosin çmimet sipas qefit”. Kjo sepse, ata ofrojnë një produkt për të cilin ka gjithmonë kërkesë, ndonëse është ulur nga viti në vit.
Në dhjetor të 2018-s, Ministria e Brendshme në vend ndaloi përdorimin e mjeteve piroteknike dhe kapsollave nga qytetarët, për të rritur sigurinë sidomos gjatë festave. Autorizimin për përdorimin e tyre e kanë vetëm Bashkitë e qyteteve.
Të tjerë tregtues të fishekzjarreve dhe kapsolleve ne vend tregojnë për Gazetasi.al se disa janë furnizime të mbetura nga vitet e mëparshme, por pjesa më e madhe vjen nga jashtë.
Tregtimi i fishekzjarreve në Shqipëri është bërë së fundmi dhe pjesë e tregut virtual, ku ata që kanë gjetur produkte të tilla informalisht, i tregtojnë ato online duke shmangur rrezikun e kontrolleve fizike. Nga faqja e tyre ku nuk tregohet asnjë informacion mbi vendndodhjen, me një mesazh zgjedh fishekzjarret në galeritë e paraqitura dhe në adresën e dhënë, të vijnë brenda 24 orëve.
Sipas personave që shesin fishekzjarre online, kjo bëhet dhe për një zgjerim më të madh të klientelës sepse ata që shesin fizikisht kanë konsumatorët e vet, të përhershëm, që edhe sjellin klientë të tjerë. Por në rrjet, vetëm me një search çdokush mund t’i gjejë dhe t’i marrë, madje dhe ata që nuk e kishin ndërmend.
Eni tregon se ka shumë të tjerë që i shesin këto produkte fshehurazi, gjatë gjithë muajit mbajnë çmime tepër të larta, por në fund të ditës së 31-shit, çmimi reduktohet dhe me 50%, mjafton ato të shiten dhe gjithësecili të shkojë në shtëpi i kënaqur.
“Sot me 31, një tortë, siç quhen pakot e mëdha me rreth 30 plasje mund t’a blesh me 2.500 lekë, ndërsa dje e ditët tjera ne e kemi shitur me 6.000-6.500 lekë.”
Por fishekzjarret janë tashmë element i rëndësishëm i çfarë do lloj eventi apo feste, përfshirë festat e ditëlindjeve, fejesat, martesat dhe ndoshta një natë feste pa qëllim, duke ditur që një nga shitësit, do të ketë minimalisht 2 pako fishekzjarrë në shtëpi apo magazinë, në çdo sezon.
Joni është një i ri të cilit që nga fëmijëria, fishekzjarret e natës së ndërrimit të viteve i kanë mbetur një kujtim i bukur. 26-vjeç dhe ai nuk harron kurrë t’i blejë ato.
“Mbaj mend që kur isha adoleshent mund të blinim shumë gjuajtje me më pak se 20 mijë lekë, ndërsa dy vitet e fundit, kam shpenzuar mbi 30 mijë lekë, për më pak gjuajtje.”
Joni tregon që tregtarët ku ai i merr fishekzjarret i mban në dyqanin e vet, njësoj si të mos kishte një urdhër ndalimi për to. Madje tregon se në lagjen e tij ka dhe markete ushqimore që shesin fishekzjarrë dhe kapsolla, e jo vetëm për vit të ri.
“Nuk kam ndaluar ndonjëherë ‘traditën’ time. Të gjithë ata që unë njoh blejnë pa problem fishekzjarre për festat e fundvitit. Bëjmë dhe gara kush plas më shumë”, – tregon Joni për Gazetasi.al duke qeshur, i lumtur që do të ndezë fishekzjarre përsëri.
Me çmim të ulët këtë herë, pasi ka kapur hilen e të shkuarit në pikat e shitjes pak orë para se akrepat të shkojnë 12.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







