Tregu i sigurimeve u rrit me 15.5% për pesë muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu po rritet me ritme më të shpejta, por në një pjesë të madhe ndryshimi me vitin e kaluar i detyrohet efektit të mbylljes së ekonomisë në periudhën mes marsit dhe majit 2020.
Për shkak të kufizimeve, shumë produkte sigurimi pothuajse u paralizuan, duke përfshirë këtu dhe sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Për këtë arsye, rritja dyshifrore e tregut të sigurimeve këtë vit i detyrohet kryesisht rrethanave të jashtëzakonshme që ndryshuan kushtet e operimit të tregut vitin e kaluar. Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës u rrit me 15%, rritje që është shtrirë pothuajse në të gjitha klasat e sigurimit.
Primet e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës për 5-mujorin e këtij viti janë rritur me 41%. Megjithatë, në numër kontratash rritja është më e kufizuar, me rreth 11.5% më shumë ndaj vitit të kaluar.
Ndër produktet e tjera vullnetare, rritje me ritme dyshifrore ka shënuar edhe sigurimi Kasko i automjeteve, sigurimi i mallrave në transport, sigurimi i garancive dhe sigurimi i shëndetit.
Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të detyrueshme motorike, është rritur me 11.5%, i udhëhequr sidomos nga rritja e sigurimeve të brendshme TPL dhe e policave të sigurimit kufitar.

Në krahun tjetër, totali i dëmeve të paguara për pesë muajt e parë të këtij viti ka rënë me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, edhe në këtë tregues duhen pasur parasysh zhvillimet e jashtëzakonshme, të lidhura me pasojat e tërmetit të nëntorit 2019.
Kjo ngjarje solli një rritje të fortë të dëmeve gjatë vitit të kaluar, duke i çuar ato jashtë parametrave të viteve normale. Në veçanti, dëmet në tregun e sigurimeve të jo-jetës kanë pësuar rënie me 9.7% ndaj vitit të kaluar.
Efekti i përkohshëm i tërmetit është i qartë edhe në ndryshimet në strukturën e dëmeve sipas klasave të sigurimit. Vitin e kaluar, dëmet nga katastrofat përbënin 54% të totalit, ndërsa këtë vit ato zënë vetëm 15%.
Produktet e sigurimit motorrik janë kthyer të dominojnë strukturën e dëmeve. Sigurimet e detyrueshme motorrike sollën rreth 49% të dëmeve totale, ndërsa sigurimet kasko rreth 10%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




