Ka ndodhur

Tregtonte fishekzjarre, arrestohet pronari i ushqimores në Lezhë

Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Mësohet se ata kanë pikasur në Lezhë, një pikë shitjeje të lëndëve piroteknike me fuqi të lartë shpërthyese, duke vënë në pranga pronarin e dyqanit ku tregtoheshin.
Po ashtu i janë sekuestruar qindra fishekzjarrë dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthyese të rrezikshme për jetën e qytetarëve gjatë përdorimit civil të tyre.
Policia thotë se në pranga ka rënë shtetasi B. R., 56 vjeç, banues në Lezhë.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të bizneseve që të respektojnë masat anticovid në interes të shëndetit të qytetarëve dhe të festojnë ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, pasi nuk do lejohen daljet nëpër rrugë e sheshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë