Gazeta Si- Një 21-vjeçar është arrestuar në Tiranë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej duke reklamuar bombola me lëndë të rrezikshme për shëndetin (azot).
Policia tha se falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit A.T., 21 vjeç, banues në Tiranë.
I riu tregtonte në dyqanin e tij tabakino, në rrugën “Tre Dëshmorët”, bombola të kontrabanduara që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme për shëndetin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bombolat që u gjetën gjatë kontrollit në këtë tabakino.
Më herët, ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi se policia ka ndaluar disa persona që tentuan të fusnin në Shqipëri disa tullumbace me azot.
Sipas Ballës, kjo substancë është e rrezikshme dhe do të ketë konsultim me ekspertë të fushës për të parë si do veprohet me të.
“Siç e thashë dje në Kuvendin e Shqipërisë, përveç kanabisit dhe lëndëve narkotike të tjera, tullumbacja me oksid azoti është substanca e re që po kthehet në trend për të rinjtë në Shqipëri. Sot Policia e Shtetit ka ndaluar persona të përfshirë në futjen e paligjshme të kesaj substance në Shqipëri (jo për qëllime mjekësore). Do të bashkëpunojmë me Prokurorinë për konsultimin e mjekëve ekspertë të fushës për klasifikimin e rrisqeve që sjell kjo lëndë tek shëndeti i të rinjve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




