Treg

Tregtia e mallrave bie. Numri i pasagjerëve në aeroporte trefishohet

Volumet tregtare kanë rënë ndërsa udhëtimet përmes ajrit dhe detit po rriten ndjeshëm.

Udhëtimet e pasagjerëve nga ajri janë trefishuar në 6 muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Në krahasim me vitin 2019, udhëtimet ajrore janë rritur me 48%.

Sipas të dhënave të INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte për qershorin është 307.8 mijë tonë, duke u ulur me 25.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.718 mijë tonë- kilometër, duke u ulur me 15.0% ndërsa volumi i mallrave të transportuar me ajër është 163.9 tonë, duke u rritur me 4.1 % në krahasim me të njëjtin muaj të 2021-shit.

Trefishohet numri i pasagjerëve që udhëtojnë nga ajri

Heqja e kufizimeve të pademisë për udhëtarët i dha hovin e munguar transportit ajror. Gjatë qershorit të këtij viti, transporti ajror i pasagjerëve zë 82.7% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është rritur me 91.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 1.221 pasagjerë. Krahasuar me qershorin e  2021-shit, ky tregues është ulur me 56.4%.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, kanë udhëtuar me linjë detare 344.340 pasagjerë, duke u rritur me 75.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 8.847 pasagjerë, duke u rritur me 75,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 është 2.098.578 pasagjerë, duke u rritur me 2,8 herë, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.

Eksportet e mallrave

Gjatë qershorit volumi i mallrave të eksportuara me tokë zë 62.9%, me det 37.0% dhe 0.1% me hekurudhë. Volumi i mallrave të eksportuara me tokë është ulur me 14.2%, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar.

Importet e mallrave në rënie

Volumi i mallrave të importuara me det zë 59.2% dhe me tokë 39.6%. Volumi i mallrave të importuara me tokë në qershor të këtij viti është ulur me 13.2%, krahasuar me të njëjtin muaj të 2021-shit.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të importuara me det zë 61.4% dhe me tokë 37.8%.

Volumi i mallrave të importuara me tokë është ulur me 6.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë