Ngjarje

‘Tregoi se mund të jesh një grek i vërtetë dhe një figurë universale’ / Mitsotakis: Kryepeshkopi Anastas ishte një urë lidhëse mes dy popujve

Nga Gazeta Si- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se Kryepeshkopi Anastas Janullatos hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ishte një urë lidhëse mes dy popujve.

Në fjalën e përmortshme në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Mitsotakis tha se, “guxojmë të shpresojmë” janë tre fjalët që përmblidhet e gjithë jeta dhe aktiviteti i këtij hierarki, sepse pikërisht guximi dhe shpresa ishin ato dy busulla orientuese që përherë e drejtonin Kryepeshkopin në këtë rrugëtim të tij të admirueshëm.

Një rrugëtim, theksoi ai, “i cili ka qenë qëndrueshëm në krah të njeriut dhe të drejtave të tij. Një herë si apostull modest dhe i përulur, një herë tjetër si një mbështetës pa zhurmë në krah të studentëve gjatë periudhës së diktaturës në Greqi. Dhe sigurisht si një themelues madhor dhe një pionier, një pararendës i jashtëzakonshëm i ortodoksisë në Shqipëri”.

Ai tha se mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme, “jo vetëm në vendin e tij dhe për homogjeninë tonë, por për të gjithë vendet e tjera ku rreh zemra e helenizmit”.

“Një fener dashurie dhe kontributi, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje por edhe rezultatshmërie, një fener i ortodoksisë përmes besimit”, tha Mitsotakis.

Ai tha se nuk është rastësi që e vajtojnë si grekët ashtu edhe shqiptarët.

“Ishte një urë miqësie dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Me plot të drejtë mund të quhet diplomati i dashurisë. Ai tregoi se mund të jesh një grek i vërtetë dhe një figurë universale”, tha Mitsotakis.

Pikërisht, theksoi Mitsotakis, “në këtë madhështi të një personaliteti të jashtëzakonshëm ne përulemi sepse kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëkohësisht një intelektual i besimit, por edhe një shërbëtor i thjeshtë i njeriut që kishte në krah”.

“Shumica e të pranishmëve e dinë se çfarë arriti Anastasi që nga çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar me të krishterët e persekutuar dhe bashkëkombësit tanë të lënë në harresë”, u shpreh ai.

“Megjithatë duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë ai hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, u shpreh Mitsotakis, duke shtuar se Janullatos, “krijoi mbi 400 enori, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Njëkohësisht hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirësie, një mrekulli e vërtetë mes rrënojave”.

“Gurët që na hedhin ata që luftojnë kundër veprës sonë thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë, ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla. E thoshte dhe e nënkuptonte”, u shpreh Mitsotakis.

“Jam një nga fatlumët që pata mundësinë ta njoh dhe të bashkëpunoj me vite me radhë me hierarkun tonë dhe nuk e fsheh që e konsideroj këtë përvojë, jo vetëm një angazhim profesional, por edhe një pasuri personale sepse ai ishte siç e kishte quajtur im atë, “I shenjtë dhe i urtë”, tha Mitsotakis.

“Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që e shprehur me fjalë të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë”, u shpreh Mitsotakis.

“Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona, në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje”, tha kryeministri grek.

“Për grekët dhe ortodoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur duke ofruar shpresë dhe gëzim shpirtëror për besimtarët ortodoksë kudo në botë”, theksoi Mitsotakis.

“Në urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij ai dëshmoi se Kisha Ortodokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror që bashkon popujt, prandaj sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na la”, nënvizoi kryeministri Mitsotakis.

“U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe vepra e tij, gjettë pasues të denjë. E përcjell me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet, “Guxojmë të shpresojmë”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë